“Top Story”, bojkoti i opozitës, reformat e qeverisë dhe kostot e tyre

11/12/2014 00:00

Manovrat e Partisë Demokratike, nga braktisja e Parlamentit, negociatat me ndërkombëtarët e deri tek ai që duket kthimi i afërt i saj në Parlament, kanë qenë në fokus të emisionit “Top Story” këtë të enjte në Top Channel.

Përballë gazetarit Sokol Balla kanë qenë analistët e njohur të shtypit shqiptar, Skënder Minxhozi, Arjan Vasjari, Artur Zheji dhe Mustafa Nano të cilët kanë shprehur këndvështrimin e tyre mbi situatën politike.

Minxhozi: Opozita, asnjë përfitim nga bojkoti

Në fjalën e tij, Skënder Minxhozi ka vlerësuar se PD nuk ka dalë e fituar nga bojkoti i Parlamentit, duke iu referuar këtu edhe preçedentëve të mëparshëm.

“Nuk mendoj se është një fitore e opozitës. Është provuar se të gjitha bojkotet e Parlamentit nuk kanë përfunduar me sukses. Partitë që e kanë bërë kanë humbur popullaritet dhe janë krijuar kushtet që opozita të defaktorizohet”, ka thënë Minxhozi.

Sipas tij, opozita aktuale, njësoj si opozita e djeshme, ka hyrë në një rrugë pa krye duke u larguar nga Parlamenti dhe duke dalë në rrugë.

“Ka shumë kohë që PD e ka humbur trenin e arsyes për të kapur Parlamentin dhe këto që vijnë tani janë zgjidhje racionale që ajo të kthehet aty ku duhet, që të mos lërë që të kalojnë ligje të kontestueshme si ligji financiar i vitit të ardhshëm dhe të lërë Ramën që vetë të bëjë dhe vetë të firmosëi. Opozita nuk ka bërë oponencë institucionale”, ka vlerësuar Minxhozi.

Ai është shprehur skeptik edhe sa i takon figurës së kryetarit të PD, Lulzim Basha. “Është një kryetar që ka krijuar aq shumë artificialitet. Një figurë që si kryetar bashkie është i dobët dhe që në qytet nuk ka bërë asgjë”, ka vijuar Minxhozi, i cili ka kritikuar edhe të ashtuquajturin “modeli Basha”.

“Për atë që është modeli Basha, unë kam frikë diçka: është modeli i tij apo një model implementar? Është një model që vjen si një bizhuteri që i vendoset apo është vetë modeli? Unë druhem se është aksesori dhe vazhdon të jetë aksesori”, ka shtuar Minxhozi.

Vasjari: Bojkoti, një betejë pa fitues

Në të njëjtën linjë sa i takon bojkotit por disi më i butë kundrejt figurës së kryetarit të PD ka qenë edhe Arjan Vasjari. Lidhur me çështjen e parë ai është shprehur se ka qenë një betejë pa fitues.

“Bojkoti është një betejë që nuk ka fitues. Shqipëria është humbëse në sytë e faktorit ndërkombëtar. Bojkoti i Parlamentit është një dezertim politik. Sot, në vitin 2014, Shqipëria është ndër të paktat vende që nuk plotësojnë kriterin politik të Kopenhagenit”, ka thënë Vasjari.

Sipas tij, këtë situatë e vërteton fakti se, edhe pasi vendi ka marrë statusin e kandidatit, palët politike ulen të bisedojnë vetëm kur ka një kërkesë nga ndërkombëtarët.

“Kjo tregon se klasa politike nuk është aspak profesionale. Sot, në momentin kur opozita ka vendosur të kthehet në Parlament, shtrohet pyetja: çfarë fitoi ajo me këtë bojkot? Rikthimi i opozitës nuk ka asnjë fitues, ka pikërisht të kundërtën”, ka pohuar Vasjari.

Sa i takon figurës së Bashës ai ka vlerësuar se kryetari i ri i PD ka nevojë për pak kohë që të afirmojë veten si lider.

“Problemi është se po tregohemi shumë kërkues ndaj Bashës, sepse ka pak kohë që është në krye të PD dhe sapo ka krijuar ekipin e tij. Mendoj se debati kush është kryetar i PD, Basha apo Berisha, është diçka që mund ta motivojë atë. Ne duhet t’i japim kohë, ta testojmë njëherë dhe pastaj ta paragjykojmë”, ka shtuar Vasjari.

Zheji: Bojkoti i PD, simetrik me atë të PS në 2009-2010

Edhe Artur Zheji e ka kritikuar bojkotin e PD. “Normalisht, në një vend ku statusi demokratik është i lartë, Parlamenti është vendi ku negociohet, ku deputetët duhet të çojnë shqetësimin e popullit. Braktisja e sotme institucionale shpërbën standardin që ne do të donim të kishim”, ka thënë Zheji në fjalën e tij, duke bërë një krahasim edhe me bojkotin e PS kur ishte në opozitë.

“Me braktisjen e Parlamentit kemi thyerjen e një kodi. Edhe në vitet 2009-2010 edhe kësaj radhe kemi një lloj simetrie. Braktisjet kanë qenë dhe janë veprime për interesa politike. Rama donte të tregonte se ishte një lider me intensitet të fortë politik, por nga bojkoti që bëri ai nuk doli fitues. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Basha”, ka deklaruar Zheji.

Sipas tij, me këto veprime PD tregon nuk ka reflektuar për humbjen që pësoi në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. “Grupi parlamentar i PD pësoi një elektroshok në zgjedhjet e 23 qershorit, me një rënie prej 30 për qind nëse do flisnim në gjuhën e bursës”, ka vlerësuar Zheji.

Ai ka shtuar se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për të kthyer në Kuvend opozitën tregon se klasa politike shqiptare nuk ka avancuar ndër vite.

“Nga hyrja e të huajve si negociatorë krijohet ideja se situata në Shqipëri është e keqe. Unë mendoj se nuk është e keqe, por është tipike shqiptare. Mendoj se kthimi i PD në Parlament pas protestës masive ishte shumë i afërt sepse kjo parti tregoi elektoratin e saj”, ka shtuar Zheji.

Nano: PD s’po shkëputet nga e kaluara

Kritikat ndaj Partisë Demokratike nuk i ka kursyer as Mustafa Nano, i cili në fjalën e tij ka vlerësuar se veprimet politike të opozitës tregojnë gjendjen jo të mirë të saj.

Duke e nisur komentin nga protesta e nëntorit, Nano ka thënë se dendësia e atij manifestimi ka qenë rrjedhojë e realitetit të hidhur shqiptar dhe jo e ndikimit të PD tek qytetarët.

“Protesta e PD ishte e madhe sepse realiteti shqiptar nuk është mirë. Vetë PD nuk është në gjendje të mirë sepse, edhe pse erdhi nga një humbje e rëndë në zgjedhje, brenda saj nuk ka pasur asnjë zë kritik”, ka thënë Nano.

Sipas tij, fatkeqësia e partisë më të madhe të opozitës është se nuk shkëputet dot nga modeli i ish-kryetarit të saj Sali Berisha.

“Modeli Basha është i ndikuar nga modeli Berisha. Nëse PD do të ishte në binarët e duhur, brenda saj do të kishte zëra kritikë. Kritika nuk ka as nga deputetët, as nga opinionistët e shtypit. Kjo tregon se nuk ka ndryshim në PD”, ka shtuar Nano.

Qeveria dhe reformat e saj

Pjesën e dytë debati u zhvendos tek qeveria dhe reformat e ndërmarra prej saj. I pari që foli ishte Skënder Minxhozi që tha se ky vit është i vështirë për të analizuar punën e qeverisë, ndërsa nuk mohoi se reformat e ndërmarra kanë një kosto politike për qeverinë dhe vetë qeverinë.

“Është një vit i vëhtirë për të vlerësuar punën e qeverisë aktuale. Ka një kundërshti mes asaj që themi dhe është një iluzion politik mes pozitives dhe negatives nëse e llogarisim në disa plane. Grushti i hekurt është në interesin publik, por në interesin politik është dicka tjetër kjo. Qeveria Rama ka vendosur të vendosë rregull me grusht të hekurt. Ka një bilanc që është imponimi i shtetit ndaj asaj që quhet e paligjshme. Qeveria besoj unë nuk ka performuar sic duhet në disa sektorë, në punësim mbi të gjitha. Buxheti ka vendosur një bazë të rëndë suplementare për njerëzit, duke rritur disa taksa dhe tarifa që krijojnë një klimë tensioni dhe jo të mirë. Rama është një kryeministër që përdor një gjuhë që i shkon bilancit që unë thashë, një gjuhë që ka disa fraza të vrazhda brenda. Duket sikur është një qeveri që ka një mision, vendosjen e ligjit me forcë, jo se kjo nuk është e mirëpritur, por besoj që qeverisja është një art ekuilibrash”, tha ai.

Për Mustafa Nanon problemi i parë me të cilën duhej të merrej qeveria është ekonomia e vendit që ka mbetur në stanjacion, sipas tij.

“Qeveria ka trashëguar një ekonomi të dobët që nuk ka patur shenja përkeqësimi, por mungojnë edhe sinjalet e përmirësimit. Rama duhet të kuptojë që sfida është ekonomia. Ai do t’i bëjë të gjitha gjërat. Ekonomia është kryesorja, kritikë tjetër kam për marrëdhëniët e tij me institucionet që nuk janë qeveritare, marrëdhëniet me Presidentin dhe kreun e SHISH. Rama duhet të pajtohet me këto institucione dhe të bashkëpunojë me to, s’ka asnjë rrugë tjetër. Një pjesë aksionesh që unë personalisht i kam pritur me gëzim në fillim, kanë ngelur në mes të rrugës ose janë kthyer mbrapsht. Këtu e kam fjalën tek bixhozi që është kthyer prapa. Jemi kthyer në të njëjtën pikë. Rama ka harxhuar shumë kohë, shumë energji për disa gjëra që nuk duhet të ekzistonin si mospagesa e energjisë, ndërtimet pa leje dhe të gjitha këto janë kosto të qeverisë”, deklaroi Nano.

Artur Zheji vlerësoi si më të suksesshme politikën e jashtme të qeverisë së re, e cila tha ai ka dhënë një dinamikë tjetër vendit, por vlerësoi edhe aksionin kundër ndërtimeve pa leje, që sipas tij janë me një kosto politike nga pas.

“Qeveria Rama ka qenë e suksesshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në politikën e jashtme, mënyra si është angazhuar me kancelaren gjermane dhe si ka patur dyert e hapura në kancelaritë me zë të fortë në BE, në partneritetin me ish-kryeministrin turk tashmë presidentin, Erdoan. I ka dhënë një standard tjetër mënyrës se si bëhet politikë e jashtme ku Shqipëria përfaëqsohet me peshë më të madhe dhe pa atë servilizmin që e karakterizonte. Heqja e ndërtimeve pa leje po deorientalizon panoramën e qyteteve, por krijohen disa zona të vogla ku ka standarde të larta dhe bashkimi i tyre do të sillte një Shqipëri tjetër. Kjo ka kosto sepse ka hapur 7-8 fronte të brendshmenjëherësh. Ka kosto politike sepse po preken mjaft interesa statike, të heshtura. Këtu duhet një ekuilibër qeverisës”, deklaroi Zheji.

Me vizitën në Serbi dhe më pas në Preshevë Rama krijoi profilin e një politikani që i mungonte deri atëherë. A tregon kjo që Kryeministri po ndjek aksione populiste? Për analistin Arjan Vasjari është e kundërta.

“Ramën nuk mund ta kritikojmë si populist sepse të gjitha reformat e tij janë antipopuliste. Ky vit është një stanjacion i qartë sa i përket raporteve mazhorancë-opozitë. Jemi sic kemi qenë para 2013. Ramës i duhet njohur që është i vetmi Kryeministër që është i detyruar të qeverisë me mjaft institucione që nuk janë të dalë nga kjo mazhorancë. Jemi në një kulturë bashkëjetese që nuk është pozitive për të”, tha ai.

Mustafa Nano iu rikthye ekonomisë duke thënë se taksa progresive nuk po nxit biznesin.

“Kur vjen puna tek ekonomia duhet të inkurajohet biznesi dhe unë këtu jam për taksën e sheshtë dhe mendoj që Rama do të kthehet tek kjo taksë, në mos tek e sheshta, tek një progresion afër taksës së sheshtë”, u shpreh ai.

Pjesën e tretë u diskutua roli i Berishës brenda dhe jashtë Partisë Demokratike.

Skënder Minxhozi: Për mua vazhdon dualizmi në PD, mes Bashës dhe Berishës. Berisha është një njeri afatgjatë. Berisha ka qenë lideri i padiskutueshëm i partisë, basha duhet të ndërtojë profilin e vet ku është ende e fortë hija e ish-kryetarit.

Arjan Vasjari: Shqipëria do jetë më mirë pa Berishën sepse shoqëria shqiptare ka një analizë të sajën që ka fatin ta shprehë një herë në katër vjet dhe më 23 qershor ishte e qartë. Sot mendoj që nuk pretendojmë që Berisha të mos jetë. Ai është,  në terma sasiorë është prani dukshëm më e reduktuar. Berisha është formalisht në vijën e dytë, por ja arrin të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe vëmendjen e medias më shumë se sa kryetari i PD. A do të arrije Basha që të rekuperojë figurën e tij? Unë them t’i japim kohë.

Artur Zheji: Jetëgjatësia e një politikani varet nga sa votohet. Ka politikanë që nuk kanë qenë të pëlqyer nga mediat dhe intelektualët, por kanë qenë shumë popullorë. Elektorati mban gjallë politikanin. Qenia ose jo e Berishës nuk varet nga ne, varet nga elektorati. Mendoj që ky vit nuk ishte pa Berishën, ishte me Berishën që bëri të gjitha betejat e tij në Kuvend dhe anketat thonë se audienca ishte 5-7 herë më të lartë se tani që opozita nuk është.

Mustafa Nano: Berishizmi është një praktikë politike dhe jo doktrinë. Do të jetojë gjatë sepse këto 25 vjet ka dominuar politikën shqiptare. Nuk është më model për vendin dhe nuk e shoh më problem për vendin, e shoh problem për Partinë Demokratike.

Top Channel