Programi bërthamor i Iranit, javën e ardhshme rinisin bisedimet

11/12/2014 00:00

Irani do të rifillojë javën e ardhshme bisedimet me fuqitë e mëdha botërore në Gjenevë për arritjen e një marrëveshje mbi programin e diskutueshëm bërthamor të Teheranit.

Bisedimet e nivelit të lartë do të rifillojnë të mërkurën më 17 dhjetor, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, e cila ka cituar zëvendësministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi. Pavarësisht përparimeve të bëra, dy palët nuk kanë arritur ende në një marrëveshje përfundimtare, ndërsa kanë rënë dakord për të zgjatur bisedimet deri në 1 korrik të 2015-ës.

Marrëveshja mund të krijojë besim të mjaftueshëm për të riintegruar Iranin në ekonominë globale dhe për bashkëpunim të mjaftueshëm politik në lidhje me krizat në Lindjen e Mesme. Irani ka pretenduar gjithmonë se aktiviteti i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.

Gjashtë fuqitë botërore, 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania do të kërkojnë të arrijnë një marrëveshje paraprake në muajin mars, ndërsa do të synohet një marrëveshje përfundimtare në korrik.

Dy palët mbeten ende larg arritjes së një marrëveshjeje, kjo për shkak të disa çështjeve bazë si kapaciteti i pasurimit të uraniumit dhe periudha e heqjes së sanksioneve.

Marrëveshja përfundimtare ka si faktor përcaktues ritmin e heqjes së sanksioneve nëse Teherani pajtohet me kufizimin e ndjeshëm të sasisë së uraniumit që mund të pasurojë.

Uraniumi i pasuruar në nivele të larta mund të përdoret për prodhimin e bombës bërthamore, por ai që pasurohet në shkallë më të ulët gjen vërtet përdorim për qëllime energjetike. Traktatet ndërkombëtare ia lejojnë shteteve të drejtën e zhvillimit të energjisë bërthamore, e pikërisht këtë pikë shfrytëzon Irani për të argumentuar të drejtën e tij të prodhimit të energjisë atomike për qëllime civile, siç thotë.

Top Channel