Mbi 5 mijë të vrarë brenda një muaji nga xhihadistët

12/12/2014 00:00

Më shumë se 5 mijë njerëz janë vrarë nga xhihadistët vetëm gjatë një muaji, sipas një studimi të kryer nga “BBC World Service” dhe raporteve të shoqërisë civile.

Shumica e sulmeve është kryer nga militantët e ISIS me një rritje të ndjeshme të sulmeve gjatë muajit nëntor në Irak dhe në Siri. Më shumë se 2 mijë viktima janë civilë të pafajshëm. Sipas të dhënave të publikuara nga BBC-ja, 5042 njerëz u vranë në 664 sulme xhihadiste në 14 shtete të ndryshme, një mesatare ditore prej 168 viktima ose 7 të vrarë në vetëm një orë.

Rreth 80% e vrasjeve kanë ndodhur në 4 shtete, në Irak, Nigeri, Siri dhe Afganistan. Iraku është vendi më i rrezikuar për jetën, me 1770 të vdekur në 233 sulme. Ndërsa sulmet janë shtuar edhe në Nigeri nga Boko Haram, ku vetëm gjatë muajit nëntor janë vrarë 786 njerëz, pothuajse të gjithë civilë. Militantët e Boko Haram arritën t’i merrnin jetën 120 personave në një sulm të vetëm kur sulmuan një xhami në qytetin verior, Kano.

Ndërkohë në Afrikën Lindore al-Shabab i ka marrë jetën 266 personave në Somali dhe në Kenia. Afganistani pësoi pothuajse të njëjtin numër viktimash si në Nigeri, por këto duket se sulmet janë në rënie. Ndërsa në Siri gjatë muajit nëntor janë vrarë 693 persona.

Top Channel