SHBA, kalon buxheti 1.1 trilionë USD. Shmanget falimentimi

12/12/2014 00:00

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar buxhetin prej 1.1 trilion dollarësh, disa orë para se qeveria të shpallte dështimin mesnatën e së enjtes.

Masa republikane u miratua me 219 vota pro dhe 206 kundër, pasi presidenti Barack Obama u kishte bërë thirrje demokratëve që ta mbështesnin buxhetin.

Ai do të financojë shumicën e dikastereve të qeverisë deri në shtator 2015, por disa prej tyre do të marrin vetëm fonde afatshkurtra.

Republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e muajit të kaluar. Lideri i republikanëve, John Boehner u shpreh i lehtësuar pas votimit dhe tha: “Faleminderit dhe gëzuar Krishtlindjet”.

57 demokratë votuan pro projekt/buxhetit, ndërsa të tjerët ishin të irrituar nga thirrja e presidentit për votim. Liderja e demokratëve, Nancy Pelosi tha: “Jam tej mase e zhgënjyer nga qëndrimi i presidentit Obama”.

Nga ana tjetër, republikanët kundërshtuan fuqishëm reformën e presidentit Obama për emigracionin dhe për rrjedhojë buxheti do të financojë Departamentin e Sigurisë së Brendshme deri në muajin shkurt.

Republikanët shpresojnë që kur Kongresi të mblidhet në fillim të vitit të ardhshëm të mund të ndryshojnë planet e presidentit për emigracionin.

Buxheti tani duhet të kalohet nga Senati dhe të dërgohet më pas tek presidenti, firma e të cilit e kthen në ligj. Senati miratoi gjithashtu edhe zgjatjen me dy ditë të financimit të qeverisë, për t’i dhënë asaj kohë për të miratuar buxhetin kryesor.

Lideri i shumicës në Senat, Harry Raid tha se grupi i tij do të nisë mbikëqyrjen e ligjit këtë të premte. Ai financon qeverinë në të njëjtat nivele që u negociuan dhjetorin e kaluar.

Top Channel