Beqaj: Vizitohuni periodikisht, te mjeku jo vetëm në raste urgjence

12/12/2014 00:00

Një seminar për kontrollet mjekësore është mbajtur paraditen e së premtes në Tiranë, ku të pranishëm kanë qenë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në fjalën e tij, ministri Beqaj e ka vënë theksin tek objektivat e caktuara nga Banka Botërore që kujdesi shëndetësor të arrijë një nivel universal.

“OBSH dhe Banka Botërore i janë bashkuar nismës së mbulimit universal të kontrolleve mjekësore, përkrah partnerëve botërorë. Në këtë drejtim, të gjitha vendet duhet të zhvillojnë ide inovatore për të arritur objektivin”, ka thënë Beqaj.

Ai ka theksuar se edhe dikasteri i drejtuar prej tij ka vendosur të zhvillojë një program bazë të mbulimit universal.

“Duhet të sensibilizohemi të gjithë që të shkojmë në qendrën shëndetësore edhe pa pasur probleme”, ka shtuar Beqaj.

Top Channel