Stuhija përplaset në Kaliforni, 220 mijë banorë pa energji

12/12/2014 00:00

Mbi 220 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike pasi shira të dendura dhe erëra të forta u përplasën dhunshëm në veri të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara.

Stuhija shkaktoi reshje të dendura që arritën deri në 25 milimetra në San Francisko, si dhe erëra me shpejtësi 225 kilometra në orë në malet e Sierra Nevadës.

Përmbytjet kanë bërë që autoritetet të mbyllin dy rrugët kryesore për automjetet, si dhe kanë shkaktuar vonesa në transportin publik, me 240 fluturime të anuluara dhe shërbime tragetesh të pezulluara.

Shiu konsiderohet tepër i rëndësishëm në këtë zonë për shkak të thatësirës, por rrëshqitjet e tokës të shkaktuara prej tij janë një problem tjetër.

Ndërprerja e energjisë elektrike ka prekur gjerësisht banorët, nga zona periferike në jug të San Franciskos deri në afërsi të kufirit me Oregonin.

“Është një grusht i dyfishtë, ka edhe shira edhe erëra. Kur toka njomet dhe erërat janë të egra ka shumë gjasa që pemët të rrëzohen mbi linjat elektrike”, ka deklaruar një eksperte e shërbimit meteorologjik.

Mediat amerikane raportojnë për aksidente të shumta rrugore, por jo për dëmtime serioze në njerëz. Gjithashtu, kushtet e motit bënë që të mbylleshin shkollat në një sërë lokalitetesh si në San Francisko, Okland, Berkli dhe Kontenë Santa Kruz.

Në këtë të fundit një fëmijë u bllokua nga një pemë që i ra sipër, por u lirua nga skuadrat e shpëtimit të cilat sharruan pemën. Ndërsa në qytezën e Hilldsburgut, niveli i ujit thuajse mbuloi automjetet.

Top Channel