Raporti mbi CIA-n, edhe Britania “në ethe”

12/12/2014 00:00

Shërbimet sekrete britanike kontaktuan homologët amerikanë lidhur me raportin mbi taktikat e marrjes në pyetje të CIA-s, përpara se ai të publikohej.

Lajmin e ka bërë të ditur zyra e qeverisë në Londër, Downing Street, e cila megjithatë nuk ka saktësuar nëse inteligjenca britanike kishte kërkuar detajet e raportit.

Megjithatë, zyra e David Cameron ka deklaruar se, nëse do të kishte pasur një kërkesë të tillë, ajo nuk do të kishte për qëllim fshehjen e përfshirjes së Mbretërisë së Bashkuar në tortura.

“Çdo kërkesë që do të ishte bërë do të ishte bërë për qëllime të lidhura me sigurinë kombëtare”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Raporti i publikuar nuk ka asnjë referencë për agjencitë britanike të spiunazhit. Megjithatë, korrespondenti politik i BBC, Iain Watson tha të enjten se ka pasur një “lëkundje sizmike”, pasi agjencitë përkatëse të spiunazhit kanë kontaktuar me njëra-tjetrën përsa i takon përmbledhjes së raportit.

Raporti fliste për taktika “brutale” të CIA-s të përdorura ndaj të dyshuarve për terrorizëm pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

I hartuar nga Senati amerikan, dosja përmban 6 mijë faqe, prej të cilave janë publikuar vetëm 525, pasi pjesa tjetër konsiderohen informacione të klasifikuara.

Dianne Feinstein, kryetare e komitetit për shërbimet sekrete, deklaroi se taktikat e CIA-s, mes të cilave simulimi i mbytjes me ujë, rrahja dhe mohimi i gjumit, përbënin tortura të mirëfillta.

Top Channel