Në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë verifikuar përplasjet e para, pasi 8 deputetë të saj nuk votuan të martën Isa Mustafën si kryeministër.
Debati është ndezur nga nënkryetari Haki Rugova, që ka akuzuar elementët e rinj të partisë, të cilët sipas tij dhanë një shembull të keq me votimin kundër kreut të LDK-së. Por nuk kanë vonuar reagimet.
Deputetja Alma Lama ka thënë në një intervistë për gazetën “Blic” se, ky sulm i Haki Rugovës është një përpjekje e tij për të shfajësuar figurën e tij ndaj elektoratit, sipas saj të indinjuar të LDK-së.
“Është për të ardhur keq që zotëria i nderuar po mundohet të shpallë fajtorë kryesorë deputetët parimorë që votuan kundër PDK-së, për të shfajësuar veten dhe të tjerët ndaj elektoratit të indinjuar të LDK-së për koalicionin”, ka thënë Lama.
Ndaj Rugovës ka reaguar edhe deputetja femër më e votuar në Kosovë, Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se, shembull i keq është të mos mbash fjalën e dhënë para elektoratit dhe jo e kundërta.
“Zoti Rugova, shembull i keq është të mos mbash fjalën dhe jo e kundërta. Shembull i keq është t’u premtosh dhe garantosh qytetarëve diçka çdo ditë për 4 vite dhe pastaj të ndryshosh qëndrim brenda natës. Shembull i keq është të sulmosh deputetët e partisë tënde dhe të mos marrësh guximin të dalësh për të dhënë argumente bindëse pse ky koalicion është lidhur”, thotë në reagimin e saj Osmani.
Top Channel