Kosovë, Thaçi i dorëzon detyrën Mustafës

12/12/2014 00:00

Kryeministri i ri i Kosovës Isa Mustafa e ka marrë detyrën nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Dorëzimi i detyrës është bërë para objektit të Qeverisë ku Isa Mustafa dhe Hashim Thaci kanë parakaluar para gardës ceremoniale të FSK-së.

Pas ekzekutimit të himnit shtetëror, kryeministri Mustafa dhe ish-kryeministri Thaci bënë edhe fotografimin para mediave dhe më pas kanë hyrë në ndertesën e Qeverisë në një takim përshëndetës të pranim-dorëzimit të detyrës.

As Mustafa, por as Thaçi nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë para gazetarëve pas pranim dorëzimit të detyrës.

Pas këtij takimi, Mustafa e Thaçi nuk folën para mediave, por vijuan së bashku për në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar të udhëhequr nga Isa Mustafa.

Në këtë mbledhje konstituive të ekzekutivit, kryeministri  i ri paraqiti programin e Qeverisë dhe ua ka shpërndarë të gjithë  ministrave të cilët duhet ta shqyrtojnë në ministri për të identifikuar prioritetet, afatet e realizimit dhe kostot e tyre.

Mustafa e ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që duhet të miratohen javën e ardhshme.

“Kemi edhe disa ligje të rëndësishme për të cilat do të diskutojmë në ndërkohë dhe të cilat duhet t’i dërgojmë më shpejt. Është ligji, i cili rregullon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në konflikte të jashtme, për të cilin jemi të interesuar që menjëherë të trajtohet dhe të shkohet në Kuvend. Do të jetë ligji për Gjykatën Speciale, i cili po ashtu na pret që ta trajtojmë shpejt, ligji për forcat e armatosura që po ashtu duhet të trajtohet”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri Mustafa i ka shprehur mirëseardhjen në Qeverinë e tij edhe për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.

Në fund të mbledhjes, zëvendëskryeministri nga Lista Serbe, Branimir Stojanoviç, në emër të përfaqësuesve të komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës, ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit konstruktiv dhe të sinqertë në të gjitha fushat e veprimit.

Një ditë më parë mediat serbe e kanë cituar zëvendëskryeministrin kosovar duke iu referuar Kosovës si “Kosmet” apo Kosova dhe Metohija. Por, zëvendëskryeministri Stojanoviç ka thënë se ai është keqinterpretuar pasi siç tha ai, Kosovës i thotë ashtu siç e ka emrin zyrtar.

Mustafa u votua si kryeministër të martën, me votat e LDK-së, PDK-së dhe pakicave që i ofruan në këmbim të një marrëveshjeje.

Kabineti i ri qeveritar i Kosovës do të jetë i ngarkuar me shumë zëvendësministra. Marrëveshja e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së parasheh që secila nga 19 ministritë të ketë së paku nga një zëvendësministër të PDK-së dhe nga një të LDK-së.

Në 19 ministri, këto parti do të caktojnë 38 zëvendësministra. Liderët e koalicionit, Thaçi dhe Mustafa, në marrëveshjen e re me Listën Serbe po ashtu u kanë dhënë atyre gjashtë zëvendësministra, të cilët do të emërohen si zëvendësministra të tretë nëpër disa ministri.

Po ashtu, edhe minoriteti turk, ai boshnjak, romë, shkali dhe egjiptjan do të kenë zëvendësministra në disa dikastere dhe kështu numri i përgjithshëm i zëvendësave do të arrijë në 50.

Ja emrat e kabinetit “Mustafa”

Isa Mustafa – Kryeministër

Hashim Thaçi – Zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme

Kujtim Shala – Zv.kryeministër

Avdulla Hoti – Ministër i Financave

Lutfi Zharku – Ministër i Infrastrukturës

Hajredin Kuçi – Ministër i Drejtësisë

Blerand Stavileci – Ministër i Zhvillimit Ekonomik

Memli Krasniqi – Ministër i Bujqësisë

Valon Murati – Ministër i Diasporës

Arsim Bajrami – Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Bekim Collaku – Ministër i Integrimit Evropian

Ferid Agani – Ministër i Mjedisit

Skënder Hyseni – Ministër i Punëve të Brendshme

Imer Rrahmani – Ministër i Shëndetësisë

Hikmete Bajrami – Ministre e Tregtisë dhe Industrisë

Haki Demolli – Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Kujtim Shala – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Arban Abrashi – Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

Edita Tahiri dhe Rasim Demiri – ministra pa portofol

Mahir Jagxhillari – Ministër i Administratës Publike

Aleksander Jabllanoviç – Ministër per Komunitete dhe Kthim

Lubomir Mariç – Ministër i Pushtetit Lokal

Top Channel