Operacioni kundër vjedhjes rrit me 48 % arkëtimet e energjisë

12/12/2014 00:00

Ministri Damian Gjiknuri thotë se muaji i parë i aksionit kundër
vjedhjes së energjisë elektrike ka rritur arkëtimet me 48 për qind ose
4.38 miliardë lekë krahasuar me nëntorin e një viti më parë, si dhe ka
çuar në ulje historike siç u shpreh ai, të nivelit të humbjeve.

“Niveli i humbjeve për muajin nëntor ka shënuar një rënie do ta quaja historike, duke arritur në 32.8 për qind krahasuar me nëntorin e vitit 2013 kur niveli i humbjeve ishte 48 për qind”, tha Gjiknuri.

Ministri thotë se nga data 4 dhjetor, kur hyri në fuqi skema lehtësuese e pagesave për konsumatorët familjarë dhe ata me ndihmë ekonomike, janë lidhur rreth 16.800 marrëveshje për shlyerjen e debive.

“Prej tyre, 7 318 klientë familjarë kanë përfituar zbritjen 80 për qind të kamatvonesës duke likujduar plotësisht borxhet e akumuluara ndaj kompanisë së shpërndarjes. Në këto ditë janë lidhur 967 aktmarrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste për familje të klasifikuara në ndihmë ekonomike”, tha Gjiknuri.

Ministri thotë se Qeveria po parashikon edhe shlyerjen e borxheve të akumuluara ndaj koncensionarëve të HEC-eve që në total kap shifrën e rreth 60 milionë dollarëve.

“Ka filluar këto ditë likujdimi me mbi 1.1 miliard lekë i detyrimeve, i cili do të plotësohet brenda këtij muaji edhe me 2 miliardë lekë të tjera, duke arritur në një shlyerje të borxhit në nivelin mbi 70 për qind. Brenda muajit prill 2015, ky detyrim do të jetë bërë e mundur të shlyhet 100 për qind”, tha Gjiknuri.

Top Channel