FSHP akuzon Luan Shabanin, trajnerin e dy kombëtareve: Garantoi pastërtinë e sportistëve

12/12/2014 00:00

Në momentin më të vështirë të historisë së peshëngritjes shqiptare, presidenti i Federatës Elez Gjoza del hapur duke zbuluar një pjesë të prapaskenave të Botërorit tonë të suksesshëm, deri përpara pak ditësh, Botërorit të Kazakistanit.

Është e njohur tashmë se prej vitesh Pirro Dhima, si president i Federatës greke të Peshëngritjes, dhe Luan Shabani, si trajner i përfaqësueses greke, kanë ndihmuar sportistët tanë shpesh herë privatisht për t’i vënë në dispozicion palestrën e kompleksit olimpik të Athinës, për të pasur kushte më të mira.

Ndërkohë, në këtë botëror, edhe pse përflitej, presidenti i Federatës sonë Elez Gjoza deklaron se ka pajtuar një kontratë, sipas së cilës Luan Shabani do të ishte edhe trajner i përfaqësueses sonë në Botërorin e Kazakistanit, madje duke garantuar – po sipas Gjozës, – se asnjë sportist nuk do të kishte probleme dopingu.

“Luan Shabani, në kuadrin e trajnerit kombëtar të peshëngritjes, më deklaroi që sportistët janë të pafajshëm. Kontrolli për ekipin kombëtar ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të atij vetë dhe të mjekëve që ai ka pasur në dispozicion. Me garancinë që më dha trajneri Luan Shabani, nuk e di sa e vërtetë është, por këtë garanci nuk dua ta shpërdoroj”, tha Elez Gjoza, President i FSHP.

Kjo ndodh për herë të parë, që një trajner të stërvisë dhe drejtojë dy përfaqësuese në Botëror, edhe pse bëhet fjalë për një kontratë jopublike, pasi realisht trajneri i Daniel Godellit është Sokol Bishanaku, ashtu siç është Gazmend Haksani i Romela Begajt, e megjithatë gjithçka do të kalonte pa u vënë re, pa këto mosmarrëveshje tashmë të bëra publike.

“Në marrëveshje ne përfshimë edhe shëndetësinë, edhe traumat, edhe gjithë problemet që do të kishin sportistët. Trajneri Luan Shabani e miratoi dhe ra dakord që Qendra Sportive Shëndetësore e Qendrës Olimpike në Greqi do të ishte në dispozicion të ekipit kombëtar grek, njëkohësisht edhe të ekipit kombëtar shqiptar”, deklaroi Elez Gjoza.

Dhe, pas gjithë kësaj, tashmë çdo gjë shndërrohet në alibi e teori konsiprative, për vendime të marra sigurisht nga Federata jonë, si për marrëveshjen me Federatën greke, me Luan Shabanin, ashtu edhe për gjithçka ka ndodhur në Greqi, duke qenë se sportistët dhe një pjesë e stafit kanë qëndruar atje për mëse 6 muaj.

“I kam thënë tekstualisht: E para, kontrollohen 3 sportistë grekë nën kujdesin tonë dhe nuk dalin pozitivë, kontrollohen 3 sportistë shqiptarë dhe dalin pozitivë. Kush është ai shtet që ka interes, që të na dëmtojë neve, siç janë dëmtuar edhe shumë shtete të tjera? Për mua, i dashur trajner, vendi që do të ishte xheloz për Shqipërinë është Greqia dhe këtë do ia lemë të ardhmes. Mbase nuk do që të flasim, por do të flasësh ti vet, të prononcohesh, e më pas do të flasë edhe Federata”, u shpreh Elez Gjoza.

Në këto momente hidhje e pritjesh, ose dyshimesh të Federatës sonë, pasi Luan Shabani ende nuk është prononcuar as për suksesin, e jo më për këtë ngjarje tronditëse, vihet theksi te sportistët grekë, të cilët vështirë të jenë kontrolluar, duke qenë se më i miri si për femra e meshkuj është renditur në vendin e 12-të.

Një pozicion i tillë, pak ka lidhje me analizat, kur dihet se ato i bëhen sportistëve me përmirësime të dukshme dhe atyre të zonës së medaljes. Deri në përgjigjen e analizës B, pra për rreth 2 javë, teori të tilla konspirative do të dëgjojmë mjaft.

Top Channel