Skandali i dopingut, ekipi jashtë kontrollit, pa mjek dhe pa test para Botërorit

12/12/2014 00:00

Ashtu siç ka ndodhur gjithmonë këto vitet e fundit, edhe në Botërorin e Kazakistanit delegacioni shqiptar i peshëngritjes nuk ka patur asnjë mjek me vete, i cili është i dosmosdoshëm në evente të tilla, sidomos ato ndërkombëtare.

Vladimir Gjonaj, drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, shprehet: “Kjo është kompetencë e Federatës, ajo e gjykon vendin e grumbullimit, trajnerin dhe praninë ose jo të mjekut.”

Në çdo vend europian, para nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, sportistët i nënshtrohen një testi antidoping të bërë nga Komisioni Antidoping i vendit përkatës. Drejtori i Sporteve Gjonaj, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit Kombëtar Antidoping, thekson se sportistëve tanë që morën pjesë në Botëror nuk u është bërë asnjë test nga ana e tyre para nisjes në Kazakistan.

“Nuk është bërë një test para evenimentit. Testi duhet kërkuar nga vetë Federata pasi është e vështirë ekonomikisht që të bëjmë teste para çdo aktiviteti”, shpjegon drejtori i Sporteve.

Në pjesën më të madhe të vende europiane Komisioni Antidoping është një komision i pavaruar. Drejtori Gjonaj thekson se edhe në Shqipëri ky komision është i pavaruar, ndërkohë që në ligjin për sportin thuhet se ky është thjesht një strukturë këshillimore e Ministrisë dhe nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Komisioni Antidoping në vendin tonë është totalisht i pavarur, madje në këtë Komision nuk ka më zv/ministra apo drejtorë policish si më parë. Nuk shoh asnjë lloj varësie pasi nuk kam marrë kurrë asnjë urdhër për t’i thënë Komisionit si të veprojë”, tha zoti Gjonaj.

Në fund, Gjonaj i bashkohet deklaratës së KOKSH-it ku thuhet se përdorimi i substancave të ndaluara nga ana e sportistëve të përfshihet në Kodin Penal si një vepër e dënueshme ligjërisht: “Sportisti, trajneri apo mjeku që tenton të arrijë një rezultat të pamerituar, domethënë të mashtrojë, të parashikohet në Kodin Penal që të dënohet me sanksione si gjobë apo burgim.”

Top Channel