Rusia kthen sytë nga Lindja, Uashingtoni paralajmëron Indinë

12/12/2014 00:00

Me vizitën e tij në Indi, Vladimir Putin mori një tjetër kthesë larg Perëndimit. Shefi i Kremlinit u takua me kryeministrin indian, Narendra Modi, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve tregtare, energjetike e ushtarake mes dy vendeve.

Zgjerimi i mëtejshëm i bizneseve të Indisë, përmes rritjes së bashkëpunimit me partnerët e huaj dhe investimeve në vend, është një prej planeve afatgjata të Modit.

Shefi i Kremlinit, nga ana tjetër, po përpiqet të ringrejë fuqinë ndërkombëtare të vendit të vet. Sanksionet e Perëndimit e kanë përkeqësuar situatën ekonomike të Rusisë; rubla vazhdon të zhvlerësohet, biznesi është në rënie dhe të ardhurat nga eksporti i energjisë janë ulur, për shkak të rënies së çmimit të naftës.

Për këtë arsye, Presidenti rus është duke kërkuar aleatë të rinj. Në fillim ai u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Kinën, e tani i ka kthyer sytë nga India. Shenjat që vijnë nga Nju Delhi janë se të dy vendet kanë interesa të njëjta.

Modi i është shmangur Perëndimit për vite me radhë, pasi mendohet se është i përfshirë në masakrën me motive fetare në vitin 2002, në qytetin e tij Gujarat. India ka qenë dikur aleate e vjetër e Bashkimit Sovjetik, e përpos kësaj tani ka nevojë për energji.

Duke qenë se marrëveshja nukleare me SHBA-të nuk po avancon, Moska duket e gatshme të shfrytëzojë rastin dhe, në 20 vitet e ardhshme do të ndërtojë në këtë vend 12 reaktorë nuklearë. Për Rusinë është gjithashtu një mundësi ideale furnizimi i Indisë me gaz natyror, aq më tepër pas anulimit të projektit “Rrjedhja e jugut”.

Uashingtoni ka reaguar sakaq ndaj zhvillimeve të fundit, duke e paralajmëruar Modin t’i rezistojë zgjerimit të biznesit me Moskën.

Top Channel