Shefi ekzekutiv i Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker, i ka dhënë popullit grek një paralajmërim të zymtë dhe të pazakontë, për pasoja madhore nëse ata do të votojnë në favor të krahut të gabuar, dhe nëse radikalët e majtë të “Syriza”-s fitojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Presidenti i Komisionit Europian theksoi në deklaratën e tij, të dhënë orët e vona të së enjtes për median austriake ORF, se kjo nuk ishte një përpjekje e tij për ta përfshirë vetëveten në proceset politike të Greqisë.

Në përgjithësi, zyrtarët e BE-së janë të ndjeshëm dhe përpiqen të shmangin akuzat për ndërhyrje, por vërejtjet e Juncker shkuan përtej heshtjes normale.

Ndërkohë që qeveria në Athinë përballet me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe humbjes së tyre, në favor të fitores së partisë opozitare të krahut të majtë, që kundërshton kushtet e BE-së të vendosura për shpëtimin e Greqisë nga falimenti, Juncker tha se nuk do ta “urrente” faktin që mund të shihte të njëjtat “fytyra familjare” të mbeteshin në krye të vendit.

Kryeministri Antonis Samaras bëri të ditur gjatë së enjtes se Greqia rrezikon një rikthim “katastrofik” në krizën financiare, nëse qeveria e tij do të dështonte të zgjidhte Presidentin e ri.

Juncker, i cili është përfshirë ngushtësisht në menaxhimin e krizave të borxheve në eurozonë, kur ishte kryeministër i Luksemburgut, tha se ndihej i sigurt që votuesit grekë do ta kuptojnë rrezikun e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, që sipas sondazheve do të sillnin në pushtet “Syriza”-n.

“Mund të supozoj se grekët, të cilët nuk kanë një jetë të lehtë por mbi të gjitha ata të varfërit, e dinë shumë mirë se çdo të thotë një rezultat i gabuar i zgjedhjeve për Greqinë, por edhe për eurozonën”, tha ai. “Nuk do të shpreh mendimin tim personal. Thjesht nuk do të doja që forcat ekstremiste të merrnin komandën e shtetit. Do të doja që Greqia të qeverisej nga njerëz me sytë dhe zemrën për njerëzit e shumtë në nevojë në Greqi, si dhe që e kuptojnë nevojën e proceseve europiane”.

Ai shtoi në fund se problemet me tregjet në Greqi nuk i sheh aspak si shenjë e shpërthimit të një krize të re greke.

Top Channel