Palestinezi plagos 5 izraelitë, pas sulmit me lëndë kimike, të dyshuar acid

12/12/2014 00:00

Një palestinez ka sulmuar me lëndë kimike, që besohet të jetë acid, një familje izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, këtë të premte, duke plagosur 1 burrë dhe 4 fëmijë, bëjnë të ditur policia dhe ushtria izraelite.

Agresori është qëlluar dhe është plagosur menjëherë pas sulmit, i cili ndodhi në një pikë kontrolli në jug të Jeruzalemit. Zëdhënësja e policisë, Luba Samri, tha se ai kishte “hedhur një substancë të panjohur – të besuar acid – ndaj një familjeje hebreje”. Më pas njoftoi se një civil në vendngjarje kishte qëlluar dhe plagosur agresorin.

Ushtria izraelite bëri të ditur se izraeliti kishte ndaluar me makinën e tij pasi e kishte konsideruar palestinezin si dikush që donte të hipte në makinë për të shkuar diku, por në atë moment ndodhi sulmi.

Incidenti vjen në një kohë kur tensionet janë përshkallëzuar mes palestinezëve dhe izraelitëve, veçanërisht në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, territore që Izraeli i ka pushtuar që nga lufta e vitit 1967, por që Palestina i kërkon si pjesë të shtetit të saj të pavarur, së bashku me Rripin e Gazës.

Ky sulm ende nuk është marrë përsipër nga ndonjë grup militantësh. Por, përgjatë 4 muajve të fundit, 10 izraelitë dhe një vizitor i huaj janë vrarë nga palestinezët me thika apo nga sulmet me autobomba, ndërsa të paktën 12 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite, shumica e të cilëve janë agresorë të rasteve ndaj izraelitëve.

Të mërkurën, një ministër palestinez humbi jetën, menjëherë pas një përplasjeje fizike me një polic izraelit kufitar në Bregun Perëndimor. Siç është raportuar, polici e ka qëlluar ministrin në qafë, por pak minuta më vonë ai është rrëzuar për probleme me frymëmarrjen.

Një zyrtar izraelit i cili ndoqi autopsinë tha se ministri kishte ndërruar jetë nga një atak kardiak, të shkaktuar me shumë mundësi nga stresi, ndërsa patologët palestinezë dolën në konkluzionin se shkak i atakut ka qenë goditje pas koke.

Top Channel