Merkel dënon racizmin e protestave antiislamike në Dresden

12/12/2014 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dënuar një seri demonstratash antimuslimane të zhvilluara në qytetin lindor të Dresdenit, duke njoftuar përmes një ndihmëseje të saj gjatë së premtes, se në Gjermani “nuk ka vend” për të urryer muslimanët apo besimtarë të feve të tjera, apo grupe të tjera racore.

“Në emër të qeverisë dhe të Kancelares, mund t’iu them qartë se nuk ka vend në Gjermani për urrejtje fetare, pavarësisht se kujt besimi i përkasin njerëzit”, tha zëdhënësja e Kancelares, Christiane Wirtz.

“Nuk ka vend këtu për islamofobi, antisemitizëm apo ndonjë formë tjetër të ksenofobisë apo racizmit”, tha ajo, referuar marshimeve të pasdites së të hënës në Dresden, nën moton “PEGIDA”, apo “Europianët Patriotikë kundër Islamizimit të Perëndimit”.

Shprehjet publike të ndienjave antiemigracion janë thuajse tabu në rrjedhën politike gjermane, për shkak të vrasjeve masive të hebrejve në kohën e nazizmit, apo edhe grupeve të tjera përgjatë Holokaustit. Merkel argumenton se Gjermania ka nevojë për emigrantët, për të shmangur krizën demografike.

Por, zyrtarë lokalë thonë se kanë hasur vështirësi të bashkëpunojnë me numrin gjithnjë e në rritje të azilkërkuesve në Europë, ndërkohë që emigracioni ka arritur nivelet më të larta në dy dekadat e fundit.

Marshimi i fundit i “PEGIDA”-s gjatë së hënës mblodhi rreth 10 mijë njerëz, ndërkohë që po aq kanë qenë edhe ata që kanë dalë rrugëve kundër kësaj demonstrate. Organizatorët e marshimit, të cilët nisën këtë fushatë dy muaj më parë me disa qindra persona, thonë se nuk janë kundër emigrantëve, por duan të protestojnë kundër ekstremizmit islamik dhe fluksit të azilkërkuesve.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, tha se jo të gjitha marshimet janë raciste dhe se ato përfshijnë edhe njerëz që “shprehin frikën e tyre ndaj sfidave të kohës”. Dresdeni është qyteti ku mbahet marshimi më i madh i përvitshëm neonazist, në përvjetorin e bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel