Emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ligj i ri për të zgjidhur ngërçin

12/12/2014 00:00

Mazhoranca ndërhyn për të zhbllokuar ngërçin me Presidentin e Republikës për emërimin e anëtarëve  të Gjykatës së Lartë.

Si nismë e disa deputetëve është depozituar në Kuvend një projektligj ku parashihet një tjetër mënyrë e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Në relacionin shoqërues të ndryshimit të ligjit organik për Gjykatën e Lartë thuhet se kjo bëhet për të saktësuar marrëdhëniet President-Parlament, pasi ka pasur interpretime të ndryshme të kompetencave të institucioneve në këtë proçes.

Konsultimet e Presidentit me krerët e grupeve parlamentare nuk ishin në përgjigje të zbatimit të ligjit, për këtë shkak u rrëzuan disa herë dekretet për anëtarë të gjykatës, thotë relacioni i deputetëve të mazhorancës.

Në projektligj parashikohet ngritja e një strukture këshillimore pranë Presidentit të Republikës me emërtimin “Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë”. Ai do të drejtohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe do të ketë në përbërje kreun e Gjykatës Kushtetuese, Prokurorin e  Përgjitshëm, Ministrin e Drejtësisë,  Zv.kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë i zgjedhur nga trupa e anëtarëve të kësaj gjykate.

Ky Këshill do të bëjë verifikimin dhe përmbushjes së kritereve të çdo aplikanti individual pranë Presidencës, si dhe do të hartojë raportin përfundimtar duke i renditur kandidatët sipas përmbushjes së kritereve.

Pasi i lihet e drejta e marrjes së informacioneve shtesë, ndër to edhe ato konfidenciale për kandidatët, Presidenti i Republikës do të bëjë dekretimin e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën e Lartë në bazë të raportit të këtij Këshilli si dhe konsultimit për emrat me krerët e grupeve parlamentare.

Relacioni shoqërues thotë se synohet konsensusi sa më i gjerë i mundshëm dhe gjetja e kandidaturave më të përshtatshme dhe me integritet.

Dekreti i Presidenti duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë qartësisht arsyet e përzgjedhjes së një kandidature, thuhet më tej në këto propozime.

Ndryshimet vijnë pasi për pesë herë radhazi mazhoranca në Kuvend rrëzoi dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, si të pakonsultuara me mazhorancën, për të cilën Presidenti ndan qëndrimin se nuk e ka detyrim kushtetues.

Top Channel