Klima, bisedimet në ditën e fundit në Peru, asnjë sinjal për marrëveshje

12/12/2014 00:00

Bisedimet e klimës në Lima, kryeqytetin e Perusë, hynë në ditën e fundit të tyre dhe nxorrën edhe njëherë tjetër në pah ndasitë e thella mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry tha se bota po i drejtohet tregjedisë dhe se arritja e një marrëveshjeje ambicioze për reduktimin e ndotjes nuk është më një mundësi, por një domosdoshmëri urgjente.

Por ajo që kryediplomati amerikan e quajti “marrëveshje ambicioze” minohet nga qendrimet krejt të kundërta mes vendeve të industrializuara dhe atyre të varfëra. Këto të fundit refuzojnë të zbatojnë masa shtrënguese pasi ato prekin zhvillimin ekonomik të vendit.

Vendet e zhvilluara kanë kërkuar të ndryshohet kategorizimi i Kombeve të Bashkuara, ku ato vetë detyrohen që të zbatojnë zotimet për reduktimin e emëtimeve, ndërsa vendeve të varfëra nuk u kërkohet në mënyrë taksative një gjë e tillë.

Pikërisht për këtë, Kerry kërkoi që asnjë vend të mos u bëjë bisht të tilla marrëveshjeve, por të jetë pjesë aktive e tyre.

“E di që kjo është e vështirë për vendet në zhvillim, por të mos harrojmë se sot gjysma e emëtimeve në atmosferë mbërrin pikërisht prej këtyre vendeve, ndaj edhe ato duhet të veprojnë gjithashtu”, tha Kerry.

Megjithëse në fjalim nuk u përmend emri i asnjë shteti, tërthorazi u la të kuptohej se bëhej fjalë për Kinën, Indinë dhe Brazilin tre vendet e mëdha në zhvillim që janë shndërruar në ndotësit më të mëdhenj.

Presidenti i Perusë u bëri thirrje palëve që të kapërcejnë ndasitë dhe të nënshkruajnë një marrëveshje. “Nuk duhet të largoheni prej këtu me duart bosh. Në fund nuk do të jem unë që do t’ju falenderoj, do të jetë bota”, tha ai.

Vendet e zhvilluara kërkojnë përcaktimin e një norme-tavan për emëtimet për të gjitha vendet, ndërkohë që vendet në zhvillim thonë se janë të gatshme të zbatojnë një marrëveshje të tillë, por në këmbim të marrin prej organizmave të OKB-së faturën financiare të dëmit që u shkakton në ekonomi një gjë e tillë.

Top Channel