Moratorium 10-vjeçar për të ndalur prerjet e pyjeve. Ministria e Mjedisit do të ndërmarrë këtë nismë, për të mbrojtur një nga pasuritë më të mëdha natyrore të vendit tonë.

Gjatë 24 viteve të fundit, pyjet janë dëmtuar në mënyrë masive dhe askush nuk ka bërë diçka për të ndalur këtë masakër. Ndërkohë, edhe djegia ka sjellë pasoja shumë të rënda për kurorën e gjelbërt të vendit, kështu që nevojitet edhe një ripyllëzim i mijëra hektarëve.

* Kosova është anëtare me të drejta të plota e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ky është vendimi unanim i marrë ditën e martë, në takimin e Monakos së këtij komiteti.

Ky vendim i hap rrugën sportistëve nga Kosova, që të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, duke nisur që nga ato të 2016-s në Rio de Janeiro të Brazilit.

* Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të rihapet shumë shpejt për publikun. Pas disa vitesh i mbyllur, në këtë muze po kryhet restaurimi i plotë dhe muzealizimi i thesarit arkeologjik.

Ky muze ishte themeluar gjatë periudhës së komunizmit, më saktësisht në 1951, ndërsa në të janë ruajtur objekte të vlefshme, që iu takojnë periudhave të ndryshme historike, si ato ilire, romake, bizantine.

* Pablo Eskobar i kërkon falje viktimave të veta, përmes motrës së tij. 21 vite pas vrasjes së njërit prej trafikantëve më famëkeq të drogës në Kolumbi, përgjegjës për qindra vdekje, motra e tij viziton varret e tyre, duke lënë një letër me kërkesë faljeje.

“Çdo ditë mendoj për të gjithë ata, që kanë vuajtur dhe po vuajnë për shkak të vëllait tim, për shkak të luftës që ai bëri”, thotë Luz Maria Eskobar.

Top Channel