Turqi, Erdogan rikthen “gjuetinë e shtrigave” me Gulenin

12/12/2014 00:00

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka dhënë shenjat e para të një fushate të re kundër mbështetësve të klerikut musliman Fethullah Gulen, i cili jeton në arrati në SHBA, gjatë së premtes, duke premtuar se do t’i ndjekë ata kudo ndodhen në strofullat e tyre.

Angazhimi i tij vjen një vit pas shpërthimit emergjent të hetimeve për korrupsion, që shënjestronin rrethin e ngushtë të Ergoganit, e që ai i konsideroi si një komplot për ta rrëzuar atë nga pushteti, të orkestruar nga një “strukturë paralele” e mbështetësve të Gulenit.

Kleriku musliman, një ish-aleat i Erdoganit, mohon akuzat.

“Kemi shkuar në strofullat e tyre dhe do të shkojmë gjithnjë. Kushdo fshihet pas tyre dhe përpara tyre, ne do ta shkatërrojmë këtë rrjet dhe do t’i vëmë ata përpara përgjegjësisë”, tha Erdogan në një forum biznesi të zhvilluar në Ankara.

Hetimi për korrupsion, i cili u bë publik me bastisjet e policisë më 17 dhjetor të vitit të kaluar, çoi në dorëheqjen e tre ministrave dhe detyroi Erdoganin të pastrojë aparatin shtetëror, duke ricaktuar në pozicione të tjera mijëra policë dhe qindra gjykatës dhe prokurorë.

Ai forcoi gjithashtu përmes legjislacionit kontrollin qeveritar ndaj sistemit gjyqësor, me një ligj së fundi që ristrukturon dy prej gjykatava të larta të vendit. Prokurorët, ndërkaq, kanë mbyllur rastet e korrupsionit.

Erdogan e përshkallëzoi për herë të fundit betejën e tji kundër Gulen, përpara zgjedhjeve të muajit gusht, të cilat ai i fitoi duke u bërë Presidenti i parë i zgjedhur nga populli në Turqi. “Gjuetia e shtrigave” e vetëdeklaruar prej tij kundër mbështetësve të Gulenit u duk sikur po shuhej, deri në këto komente të fundit.

Komente, të cilat nervozuan disi tregjet për shkak të ringjalljes së tensioneve politike, duke shtuar kështu presionin ndaj lirës turke, e cila ra në minimumin dymujor me 2,3 kundrejt dollarit amerikan. Monedha turke është goditur gjithashtu edhe nga thirrjet e fundit të Erdoganit për të ulur normat e interesit.

Duke aluduar për një konspiracion ndërkombëtar, Erdogan tha se “struktura paralele” po shënjestronte qëndrueshmërinë e Turqisë, pavarësinë dhe ekonominë e saj. “Dua që kombi im i dashur të dijë se nuk jemi duke u përballur me një rrjet të thjeshtë, por një të tillë që është peng i forcave djallëzore kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha ai.

Top Channel