Shtetet baltike, më shumë shpenzime për patrullimet ajrore të NATO-s

12/12/2014 00:00

Letonia, Lituania dhe Estonia do të përshkallëzojnë bashkëpunimin ushtarak dhe do të rrisin financimet për misionet patrulluese ajrore të NATO-s në rajonin baltik, në përgjigje të rritjes së fluturimeve përgjatë kufijve të tyre nga avionët rusë, njoftuan ministrat e Mbrojtjes së këtyre shteteve, të premten.

Vendet baltike kanë rishikuar legjislacionin e tyre të periudhës sovjetike, për shkak të rritjes së pasigurisë që prej aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, në mars, por edhe prej konfliktit të vazhdueshëm në lindje të Ukrainës.

Misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ka ngritur në fluturim avionët e saj më shumë se 100 herë gjatë këtij vitit, në përgigje të aktivitetit ajror rus, 3 herë më shumë se sa në vitin 2013.

Të hënën, 28 avionë ushtarakë rusë, përfshi bombarduesit “TU-95” dhe “TU-22”, janë kapur mbi detin Baltik pranë kufijve të Letonisë. Të martën, një avion rus shkeli hapësirën ajrore të Estonisë, për më pak se 1 minutë.

Situata ka qenë e paprecedent dhe shënon një pikë kthese, tha ministri letonez i Mbrojtjes, Raimonds Vejonis, gjatë një konference për shtyp. Homologu i tij estonez, Sven Mikser, tha se fluturime të tilla janë “të panevojshme dhe provokuese”.

Vendet baltike, të cilat janë anëtare të NATO-s, kanë rënë dakord të kontribuojnë me 3 milionë euro secila në vit, për misione patrullimi në ajër, tha Vejonis. Deri më tani, kontributi vjetor i Letonisë ka qenë 1 milion euro.

Vejonis tha se Letonia mund të përballet me provokime të mëtejshme nga Rusisa, kur të marrë Presidencën e Bashkimit Europian në janar. “Jam i bindur se do të mbikëqyrim të gjitha përpjekjet për të zhvlerësuar vendin tonë dhe zyrtarët tanë. Duhet të përballemi me këtë, ndaj dhe po përgatitemi”, tha ai.

Top Channel