Itali, grevë e përgjithshme e sindikatave të punës, përplasje me policinë

12/12/2014 00:00

Demonstruesit janë përplasur me policinë në Milano dhe Torino gjatë së premtes, teksa dy sindikata italiane kanë zhvilluar një grevë të përgjithshme kombëtare, e fundit e një serie protestash kundër reformës së punësimit, gjë që mund ta bëjë më të lehtë për firmat të shkarkojnë nga puna punëtorët.

Policia njoftoi se janë bërë disa arrestime, ndërkohë që pamjet televizive treguan oficerë policie të përdornin mjetet e tyre ndaj protestuesve, të cilët hidhnin fishekzjarre dhe objekte të tjera kundër tyre.

Kryeministri Matteo Renzi është angazhuar se do të vazhdojë me programin e tij të reformave për një ekonomi që po i drejtohet tkurrjes për të tretin vit radhazi, edhe pse po përballet me rezistencën e dy sindikatave të punës, disa prej të cilëve nga vet partia Demokratike e drejtuar prej tij.

Greva e së premtes nga unionet “Konfederata e Përgjithshme italiane e Punës” (CGIL) dhe “Sindikata italiane e Punës” (UIL) kanë prekur transportin publik, spitalet, shkollat dhe administratat civile anembanë Italisë, të cilat kanë zhvilluar mbi 50 mitingje.

Objektivi kryesor i demonstratave ishte “Akti i Punës” së kryeministrit 39-vjeçar, i cili synon të zbusë kufizimet ndaj shkarkimit të punonjësve, kur kompanitë përballen me një rënie të biznesit, dhe dobësimin e një të drejte të çmuar për të protestuar për shkarkimet e paligjshme.

Me papunësinë që ka arritur nivele rekord dhe papunësinë e të rinjve në rreth 40 përqind, sindikatat thonë se barra e reformave dhe shkurtimi i shpenzimeve po u ngarkohet padrejtësisht punonjësve, si dhe nuk do të sjellin asgjë për rikthyer rritjen ekonomike.

Top Channel