Negociatat për t’i dhënë fund bojkotit të PD, mandatohen Fleckenstein-Kukan

12/12/2014 00:00

Socialdemokrati gjerman, Knut Fleckenstein, dhe i djathti sllovak, Eduard Kukan, kanë siguruar tashmë dritën e gjelbër nga familjet respektive politike dhe simotrat e tyre shqiptare, për të ndërmjetësuar mes palëve për kapërcimin e bojkotit parlamentar.

Nisma e raportuesit për Shqipërinë, e përkrahur nga ish-kreu i delegacionit për Ballkanin, synon kthimin e opozitës në Kuvend brenda këtij muaji, për të punuar mbi një projektligj mbi dekriminalizimin e Parlamentit, i cili duhet miratuar me konsensus në 6-mujorin e parë të 2015-s.

Kjo çështje ishte një ndër 5 shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike ndaj ndërkombëtarëve dhe nisma mundëson ndihmën ligjore të institucioneve europiane për praktikën më të mirë. Por, pas pëlqimit të dhënë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, për të mandatuar eurodeputetin Kukan, është shtuar presioni i Partive Popullore Europiane mbi deklaratën publike dhe vizitën e mediatorëve të Parlamentit Europian në Tiranë.

Ende nuk bëhet fjalë për marrëveshje dhe as për një vizitë të përbashkët gjatë javës së ardhshme. Me gjithë vullnetin e mirë, axhendat respektive të dy eurodeputetëve nuk e parashikojnë, për momentin, një gjë të tillë.

“Kjo mund të ndryshojë gjatë fundjavës”, rrëfyen burime konfidenciale për Top Channel, duke shtuar se ka “presion për këtë nga kreu i PPE-së, Daul”, e kjo ndërhyrje nuk çmohet në kampin e majtë.

Nga ana tjetër, ndërsa kishte refuzuar çfarëdolloj komenti, para dhe pas takimit me të majtët shqiptarë, zyra e shtypit e kreut të PPE-së në Parlamentin Europian, Weber, “u mundua të korrigjonte” pas 48 orësh deklaratën e socialistit Taulant Balla, se “Weber ishte pajtuar në takim për plotësimin e të gjitha kërkesave të opozitës”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel