Ministrat e Shqipërisë dhe Kosovës në Beograd: Fund burokracisë

12/12/2014 00:00

Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, por këtë e pengon burokracia e rënduar. Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka vlerësuar në një forum të ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në kryeqytetin serb, se Shqipëria është e përkushtuar në këtë drejtim.

Ai tha se pjesëmarrja në forume të tilla është një matje për punën e arritur në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian: “Ajo që dallohet lehtësisht është domosdoshmëria për bashkëpunim më intensiv me njëri-tjetrin. Gjithsesi, unë e theksova gjatë fjalës se duhet shmangur burokracia. Nëse ka një gjë që vret më shumë bashkëpunimin brenda rajonit, është ecja e ngadaltë dhe burokracia. Bashkë me kolegët ramë dakord për krijimin e mekanizmave për të shmangur sa më efektivisht burokracinë dhe të bëjmë më të lehtë bashkëpunimin për qëllime të përbashkëta.”
 
Përvec Tahirit, në këtë forum morrën pjesë edhe ministrat nga Kosova, Skënder Hyseni i Punëve të Brendshme dhe ai i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Kemi orientime të qarta për rendin dhe ligjin. Ky është një forum i mirë për shkëmbimin e mendimeve dhe për përafrimin e tyre me standartet e BE-së dhe është një mundësi e mirë për bashkëpunim në luftën e krimit ndërkufitar si terrorizmi apo krimi i organizuar”, theksoi zoti Kuçi.
 
Ky forum është organizuar nga udhëheqja italiane e Bashkimit Evropian dhe ministrat janë pajtuar se është e rëndësishme që vendet e rajonit të bashkëpunojnë për t’u bërë pjesë e BE-së.

Top Channel