Vehbi Alimuça, sërish në gjykatë për pastrim parash. Bllokohen 1 mln USD në Hungari

12/12/2014 00:00

Pothuajse katër vjet pasi la ambientet e burgut, në të cilat qëndroi për mbi një dekadë, ish-bosi i firmës piramidale “Vefa Holding”, Vehbi Alimuçaj, duket se ka ende llogari të pambyllura me drejtësinë shqiptare.

Dhe sërish është firma piramidale “Vefa”, e krijuar prej tij më 1993, që u detyrohet 58 mijë kreditorëve pothuajse 325 milionë dollarë. Në hetimet e radhës, Prokuroria e Tiranës kërkon gjykimin e Alimuçës dhe të të birit për pastrim parash, pasi rezulton që ai ka një llogari bankare në Hungari me kuotën e 328 mijë dollarëve, ndërsa djali i tij posedon llogarinë me vlerën e 647 mijë dollarëve.

Për Prokurorinë e Tiranës, shuma e përgjithshme 974 mijë dollarë rezultojnë të ardhura nga aktiviteti i firmës piramidale dhe ato u janë fshehur administratorëve të “Vefës”. Sipas Prokurorisë, Vehbi Alimuça ka hapur një llogari bankare në Hungari në 1996-n, në të njëjtën kohë, të njëjtin veprim ka bërë edhe i biri Artan Alimuçaj.

Sipas provave të mëtejshme, dy vjet më pas, 38-vjeçari ka bërë një deklaratë noteriale në Pire të Greqisë, në të cilën autorizohej një shtetas hungarez, edhe ky nën hetim, si përfaqësues i tij për të kryer veprimet monetare në bankë.

Ndërkohë në 2010-n, pak pasi kishte lënë qelitë, Vehbi Alimuçaj – sipas Prokurorisë – ka lidhur një marrëveshje, në të cilën Alimuçajt i ofrohej shërbimi “Mobile Banking”. Një muaj pas kësaj marrëveshjeje, thotë Prokuroria, pranë bankës hungareze është paraqitur një shtetas, që ka kërkuar të transferojë vlerën prej 327 mijë dollarë nga llogaria e Alimuçajt në llogarinë bankare të një kompanie, por ky veprim nuk është kryer nga banka, për arsye të transaksioneve të dyshimta.

Menjëherë pas kësaj, Prokuroria vendase ka urdhëruar bllokimin e të dyja llogarive, ndërkohë që Gjykata Qendrore e Hungarisë, sipas një kërkese të drejtësisë shqiptare, ka urdhëruar sekuestrimin e shumave përkatëse, duke qenë se babë e bir konsiderohen debitorë si persona të lidhur me shoqërinë “Vefa”.

Prokuroria thekson se nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, me letërporosi i kërkohet Hungarisë të kthejë shumën prej 974 mijë dollarëve të ndodhura në llogaritë e familjes Alimuçaj, por ende autoritetet hungareze nuk kanë kthyer një përgjigje përfundimtare.

Nga ana tjetër, për Prokurorinë, dy të hetuarit janë në dijeni të vendimeve të administratorëve për shpalljen e tyre si persona debitorë, por para drejtësisë mohojnë faktin se kanë dijeni për shumat e depozituara.

Top Channel