Rritja e tarifave të shkollimit do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së universiteve. Ministria e Arsimit vitin e ardhshëm pritet të  rekrutojë rreth 500 pedagogë, çka do të ndihmojë në stabilizimin e raportit student-pedagog.

“Ajo për të cilën ne angazhohemi këtë vit nëpërmjet politikës së kuotave dhe tarifave është që nga njëra anë të mundësojmë një ulje modeste të numrit të studentëve, por duke ofruar në buxhetin e vitit të ardhshëm mundësinë që institucionet e arsimit të lartë të rrisin deri me 500 veta në total stafet akademike, në mënyrë që të jenë në një proporcion të arsyeshëm me studentët”, tha Arbian Mazniku, zv/ministër i Arsimit.

Ne Provimin e Shtetit rreth 40% e mësuesve që aplikojnë kanë rezultuar mbetës.

“Një masë e madhe profesionistësh mbesin. Pra, studenti që diplomohet nuk arrin të kualifikohet si profesionist që të ushtrojë profesionin e tij edhe pse është detyruar të shpenzojë rreth 5000 orë nëpër leksione e seminare”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.

Javën e ardhshme pritet që të lidhet edhe kontrata me agjencinë britanike e cila do të bëjë akreditimin e universiteteve, por edhe marrjen e masave ndaj tyre.

Top Channel