Ukrainë, ministri i Mbrojtjes: Të dyfishojmë shpenzimet e mbrojtjes në 3 mld USD

12/12/2014 00:00

Ukraina duhet të dyfishojë buxhetin e saj për ushtrinë gjatë vitit të ardhshëm në 3 miliardë dollarë, për të financuar luftimet kundër rebelëve prorusë, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes.

Stepan Poltorak deklaroi para Parlamentit se ajo shifër përfshin edhe një shumë shtesë prej 110 milionë dollarë për blerjen e armëve jashtë kufijve. Ai shtoi se forcat e armatosura duhet të rekrutojnë më shumë ushtarë.

Më shumë se 4 mijë njerëz janë vrarë dhe rreth 1 milionë janë zhvendosur gjatë konfliktit 8-mujor mes forcave ukrainase dhe rebelëve prorusë. Rebelët morën kontrollin e disa pjesëve të rajoneve lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, gjatë prillit.

Ukraina dhe NATO kanë akuzuar Rusinë për furnizim me armatime dhe ndihma me ushtarë ndaj rebelëve, por Moska e hedh poshtë këtë akuzë.

Poltorak tha para Parlamentit, këtë të premte, se paratë shtesë duheshin për të blerë pajisje më të sofistikuara për ushtrinë. Numri i ushtarëve që shërbejnë aktualisht në lindje të vendit do të duhet të rritet, nga 232 mijë në 250 mijë vitin e ardhshëm, shtoi ai.

Ministri i ri deklaroi se qeveria ka planifikuar të rrisë edhe numrin e rekrutëve, sikurse dhe atë të ushtarëve profesionistë. Buxheti vjetor pritet të kalojë përpara fundit të vitit.

Top Channel