Rusia: SHBA, gjithçka të mundshme për të shkatërruar marrëdhëniet

12/12/2014 00:00

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar të premten duke kritikuar ashpër një projektligj ndaj Ukrainës që është miratuar në Senat, duke thënë se Uashingtoni po bën gjithçka të mundshme për “të shkatërruar themelet e bashkëpunimit” mes dy vendeve.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-ve kanë arritur pikët e tyre më të ulët që prej Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Moska prej Ukrainës në muajin mars, si dhe për mbështetjen e rebelëve prorusë në lindje të vendit.

Perëndimi thotë se ka prova të pakundërshtueshme se Rusia ka armatosur rebelët, një akuzë që Moska e refuzon, ndaj dhe së bashku me Bashkimin Europian kanë vendosur disa raunde sanksionesh me natyrë ekonomike.

Akti për Mbështetjen e Lirisë së Ukrainës, i vitit 2014, i cili është miratuar në Senat gjatë së enjtes dhe tashmë pritet të kalohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, do t’i jepte të drejtën Presidentit Barack Obama të vendoste sanksione shtesë ndaj sektorëve rusë të mbrojtjes dhe naftës, si dhe të jepte një ndihmë ushtarake prej 350 milionë dollarësh ndaj Ukrainës, ashtu sikurse dhe mbështetje për industrinë mbrojtëse dhe energjitike të Kievit, por dhe për shoqërinë civile.

Obama shprehu maturi gjatë së enjtes mbi shanset e më shumë sanksioneve kundër Rusisë, duke thënë se kjo gjë mund të shkaktonte përçarje mes Uashingtonit dhe Europës.

Ministria e Jashtme ruse tha se shkatërrimi i mundshëm i marrëdhënieve SHBA-Rusi ishte i krahasueshëm me atë të bërë nga amendamenti Jackson-Vanik i vitit 1974, i cili vendosi për dekada të tëra kufizime tregtare mes vendeve, gjë që kufizoi edhe të drejtat e njeriut.

“Dikush mund të marrë përshtypjen se në Uashington, ku ata nuk munden të braktisin fobitë e vjetra, drejtuesit kanë marrë përsipër të kthejnë orën prapa”, thuhej në deklaratën e Ministrisë.

Top Channel