“The Voice of Albania”, eliminohen 4 konkurrentët e parë në netët “live”

13/12/2014 00:00

Në një atmosferë të mrekullueshme dhe në një spektakël të vërtetë është zhvilluar nata e dytë e netëve “live” në “The Voice of Albania”.

Në natën e parë të fazës ‘live’ nuk pati konkurrentë të eliminuar, ndërsa mbrëmjen e kësaj të premteje për 4 konkurrentë, nga një për secilën skuadër, u desh që të ndërprisnin këtu garën.

Pas përfundimit të performancave të shkëlqyera nga konkurrentët i erdhi radha trajnerëve për të vendosur për të eliminuarit e mbrëmjes së dytë të netëve ‘live’.

Alma ishte e para, e cila pati të drejtën për të eliminuar një nga 4 pjesëtarët e skuadrës së saj. “Jam para 4 këngëtarëve që më kanë dhënë kënaqësi dhe nder që kam punuar me ta”, u shpreh ajo, teksa më pas përmendi emrin e Aldos si të eliminuar nga kjo fazë.

“Në këtë eliminim nuk ka asgjë personale. Unë kam folur me ta dhe do t’i ndihmojë edhe pas përfundimit të “The Voice”, tha Elsa, për të cilën konkurrenti që ndërpreu garën ishte Arbi.

Për Gencin, Danieli ishte ai që u eliminua. “Ishe më shumë se këngëtar, ishe edhe instrumentist, por vokalisht për mua janë më superiore të konkurrentët e tjerë”, u shpreh Genci duke iu drejtuar Danielit.

I fundit që mori vendimin për eleminimin e njërit prej konkurrentëve të skuadrës së tij ishte Sidriti. Para se të thoshte emrin e konkurrentit të eliminuar, ai u shpreh se secili prej këtyre artistëve të rinj do të bëjë gjëra të mira edhe pas largimit nga “The Voice”.

“I dua të katërt dhe secili është i veçantë nga tjetri, kjo ma bën punën më të vështirë. Por për një gjë jam i lumtur, tashmë ata janë artist. Unë mendoj që të gjithë mund të bëjnë gjëra të mira edhe pas përfundimit të “The Voice”, jam i bindur për këtë”,  është shprehur Sidriti.

Më pas ai përmendi emrin e konkurrentes së eliminuar, e cila ishte Edona.

Ndërsa “The Voice of Albania” rikthehet të premten e ardhshme, sërish me netët ‘live’ me 12 konkurrentët e mbetur të cilët janë: Aslaidon, Erina dhe Frenkli në ekipin e Gencit. Albina, Andi, dhe Megi në ekipin e Elsës. Anna, Majlinda dhe Olsa në ekipin e Almës. Ndërsa tre konkurrentët e mbetur në ekipin e Sidridit janë: Jeton, Semi dhe Genti.

Top Channel