Papa refuzon takimin me Dalai Lama

13/12/2014 00:00

Papa Françesku nuk do të takohet me udhëheqësin në mërgim të Tibetit, Dalai Lama për shkak të situatës delikate me Kinën, ka njoftuar një zëdhënës i Vatikanit.

Takimi ishte kërkuar nga Dalai Lama, i cili është duke vizituar kryeqytetin e Italisë. Por, sipas zëdhënësit të Vatikanit, takimi u refuzua për arsye të ditura, duke nënkuptuar marrëdhëniet delikate me Kinën.

Mosmarrëveshjet mes Vatikanit dhe Kinës ekzistojnë për shkak të kontrollit të Kishës Katolike në Kinë.
Kina përshkruan Dalai Lamën si një separatist dhe reagon me zemërim kur ai takohet me personalitete të huaja. Ai u largua nga Kina në vitin 1959, duke u vendosur në Indi, pasi trupat kineze shtypën një tentativë për kryengritje në Tibet. Edhe pse udhëheqësi i Tibetit tashmë mbështet një “rrugë të mesme” me Kinën, duke kërkuar autonomi, por jo pavarësi për Tibetin. Në vitin 1989 ai mori Çmimin Nobel për Paqe.

Një zëdhënës i Dalai Lamës u shpreh i zhgënjyer për refuzimin e bërë nga Papa Françesku.

Në vitin 2006 Dalai Lama u takua me Papa Benediktin XVI, por këtë herë takimi u refuzua. Ai ndodhet në Romë për një takim me fituesit e Çmimit Nobel për Paqe. Kjo ishte menduar të zhvillohej në Afrikën e Jugut, por edhe atje Dalai Lama u refuzua.

Top Channel