Fushata kundër ISIS, 64 miliard dollarë për Pentagonin

13/12/2014 00:00

Senati amerikan miratoi shpenzimet për fushatën ushtarake kundër ekstremistëve të ISIS-it në Siri dhe Irak.

Buxheti i parashikuar për Pentagonin për vitin 2015 shkon në 496 miliard dollarë, plus 64 miliard dollarë shpenzime për operacionet luftarake të Shteteve të Bashkuara në botë, ku pjesa më e madhe e të cilave do të investohet në mbulimin e kostove të fushatës anti-ISIS.

Më herët projektbuxheti u miratua edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe pas Senatit është radha e Presidentit Obama që ta firmosë atë për të marrë fuqinë ligjore.

Që prej 8 gushtit, kur Uashingtoni në krye të koalicionit ndërkombëtar nisi bombardimet nga ajri kundër ISIS-it, vetëm në Irak janë bombarduar mbi 600 objektiva, ndërsa operacionet janë zgjeruar edhe në Siri.

Në këtë operacione është angazhuar fjala e fundit e teknologjisë, si avionët bombardues të pakapshëm nga radari dhe të tjera armë të kushtueshme.

Së bashku me Shtetet e Bashkuara bombardimeve të koalicionit ndërkombëtar i janë bashkuar edhe Bahreini, Jordania, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndarë nga ky koalicion dhe me koordinimin e miratimin e qeverisë irakiane, sulme ajrore kundër ISIS ka ndërmarrë edhe Irani.

Top Channel