Gazi rus, Turqia shpreson të jetë qendër e shpërndarjes

13/12/2014 00:00

Vendimi i Rusisë për të anuluar projektin ‘Rrjedha e Jugut’ po shihet si fitore nga Ankaraja që synon të shndërrohet në një shpërndarëse të rëndësishme energjie në rajon.

Megjithatë, Zeri i Amerikës citon një sërë ekspertesh të shprehin dyshime sa i takon interesit real të këtij tubacioni për Turqinë. ‘Memorandumi i Mirëkuptimit’ i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdoan për të ndërtuar një tubacion gazi natyror në Turqi, konsiderohet i rëndësishëm.

Nëse projekti do të arrijë të materializohet, atëherë aspiratat turke për të grumbulluar gaz natyror e për ta eksportuar më pas në Europe duke e shitur me kushtet e saj tregtare, do t’i jepte padyshim shtysë të madhe aspiratave të vendit për t’u kthyer në qendër kyçe të energjisë rajonale.

Tubacioni i ri do të zëvendësojë ‘South Stream’-in me vlerë 45 miliardë, i cili do të kalonte nga Rusia në Bullgari. Për anulimin e tij, shefi i Kremlinit fajësoi vonesat e Sofjes.

Turqia e varfër me energji ka kërkuar prej kohësh të shfrytëzojë vendndodhjen e saj midis vendeve të pasura me naftë e gaz në jug dhe lindje të saj dhe tregut kyç të Bashkimit Europian. Por duke cituar ekspertin e energjisë, Emre Iseri nga Universiteti ‘Yasar’ i Izmirit, Zëri i Amerikës thotë  se është e paqartë sa do të përfitojë Ankaraja nga një tubacioni i ri gazi rus.

Turqia ka shumë marrëveshje energjetike me Moskën, por ato nuk i krijojnë mundësinë që të rishesë produktin, çka do të thotë se ajo nuk fiton dot nëpërmjet shitjes së gazit rus. Nga ana tjetër ambicjet e saj për të marrë trajtat e një qendre të energjisë në rajon nënkuptojnë diçka më shumë se sa të qënit thjesht shtet tranzit.

Çmimi i gazit rus shihet gjithashtu si një bllokues i mundshëm përparimi. Përveç gazit iranian, gazi rus është më i shtrenjti që Turqia blen. Për ta zbutur marrëveshjen, Putin njoftoi një ulje prej 6 përqind të çmimit, por kjo sërish nuk  është e mjaftueshme, ndërsa Turqia vetë rrezikon rritjen e varësisë energjitike nga Rusia teksa kjo e fundit ndërton stacionin e parë bërthamor të vendit, me 20 miliardët e kostos të financuara me kredi nga Moska.

Top Channel