PD: Mashtrim me paketat për shëndetësinë

13/12/2014 00:00

Partia Demokratike thotë se paketa e mjekimit në spitalet private nuk është një risi, siç po përpiqet ta shesë publikisht qeveria.

Tritan Shehu, shef i departamentit të shëndetësisë pranë PD, listoi se tre shërbime, kryesisht për veshkat, kanë ekzistuar që në kohën e Partisë Demokratike.

“Qeveria e majtë deklaron për 6 paketa, 3 prej të cilave funksionojnë prej kohësh në vendin tonë, mirë dhe me sukses”, deklaroi Shehu.

Sipas PD, megjithëse paketa është shtuar, prej saj përfitojnë pak të sëmurë dhe ç’është më e rëndësishme, ajo ka probleme serioze dhe nuk eliminon pagesën për privatët, siç pretendon qeveria.

“Për çdo patologji përfiton një numër shumë i kufizuar të sëmurësh. Vlera e pagesave është llogaritur në mënyrë të përgjithshme. Nuk llogariten vlerat e qëndrimit para dhe pas operacionit, por vetëm dy ditët e terapisë intensive, që janë krejt të pamjaftueshme”, theksoi Shehu.

Partia Demokratike i bëri thirrje qeverisë që të pranojë atë që e quan ‘mashtrim për shëndetësi falas’, i provuar së fundmi edhe nga paketa e bashkëpunimit me spitalet private.

“Financimet për realizimin e këtyre paketave nuk vijnë nga qielli, por vijnë nga kontributet e qytetarëve, ose nga taksimi i përgjithshëm. Pra, dalin nga xhepat e qytetarëve, sepse asgjë nuk ka falas dhe aq më tepër shëndetësia nuk mund të jetë e tillë”, shtoi Shehu.

Top Channel