Rrëshqet toka, bllokohet rruga Tiranë-Elbasan

13/12/2014 00:00

Rruga Tiranë–Elbasan vazhdon të jetë e bllokuar që prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës kur një masiv dheu është shembur në fshatin Ibë në një zonë ku po punohet për ndertimin e trasesë ku do të kalojë rruga e re.

Masivi i dheut ka rënë herët në mëngjes duke bllokuar rrugën, ndërkohë që policia në Elbasan ka devijuar trafikun e automjeteve që do të udhëtonin për në Tiranë nga rruga e Durrësit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dalje të Tiranës me automjetet që do të udhëtonin drejt Elbasanit.

Si pasojë e rrëshqitjes është shembur edhe një shtyllë e tensionit të lartë që ndodhej pikërisht në zonën ku po punohet për ndërtimin e rrugës së re.

Nga rrëshqitja e dheut janë dëmtuar edhe disa biznese dhe rrezikohen disa banesa që janë aty pranë pasi formacioni i tokës është i paqëndrueshëm dhe shembja rrezikon të vazhdojë.

Gjatë stinës së reshjeve në këtë vend rruga bllokohet vazhdimisht si pasojë e baltës që sjellin rrëketë nga kantieri i ndërtimit për shkak të formacionit të paqëndrueshëm të tokës që gjendet në këtë kodër.

Top Channel