“Toga e Artë”, nderohet Avokati Kleanthi Koçi

13/12/2014 00:00

15 vjet nga vrasja e ish-kryetarit të Dhomës së Avokatisë profesor
Kleanthi Koçi, komuniteti i avokatëve e nderon pas vdekjes  me “Togën e
Artë”, e cila iu dorëzua dy vajzave të tij.

Për kreun e Shoqatës së Avokatëve Penalistë është e pafalshme që në 100-vjetorin e drejtësisë shqiptare u nderuan me çmime dhjetra juristë, por u harrua emri i profesor Koçit.

Saimir Vishaj, Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë: Është ironi e fatit ku një person të madh, kreu i shtetit e refuzon ndërkohë që nderon studentët e tij. Ne duke qenë se jemi avokatë, juristë dhe të ndarë nga politika, ne nuk mund të rrijmë dot symbyllur, gojë mbyllur dhe atë që nuk e bën dot politika duhet ta bëjmë ne, jo vetëm për të nderuar Kleanthi Koçin, por edhe për t’i çuar emrin atje ku e meriton.

Arben Isaraj, zv.Ministër i Drejtësisë: Në takimet që bënte me ne, studentë dhe pedagogë të rinj të krijonte gjithmonë përshtypjen për ta shkëputur politikën nga drejtësia. Krijonte atë që sot e dimë të gjithë, nëse duam të bëjmë drejtësi, ndërtesat e drejtësisë do t’i lëmë me gurët e ligjit.

“Toga e Artë” ju dha gjithashtu edhe avokatit Brahim Lahi, një emër i njohur për njerëzit e drejtësisë.

“Ne avokatët kemi një pjesë të rëndësishme përsa i përket imazhit të keq të krijuar në sistemin e drejtësisë. Duhet të konsiderojmë edhe ne veten si pjesë e këtij imazhi të keq”, tha avokat Lahi.

Çmimi ‘Toga e Artë ” është një çmim që aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe që pritet të kthehet në një traditë të përvitshme për njerëzit e avokatisë.

Top Channel