Reformë e thellë në AAK, Haradinaj: Duke nisur nga unë

13/12/2014 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në takim
me strukturat drejtuese të kësaj partie ka paralajmëruar reformim brenda
partisë së tij. Madje Haradinaj tha se kjo reformë do të filloj nga
vetë ai.

“Unë mendoj se duhet t’ia filloj prej vetes, pra duhet vet të shoh gabimet që kam bërë rrugës, lëshimet që kam bërë rrugës, politike po flas, organizative dhe të cdo aspekti tjetër. Duhet të punoj në veten time për reformë, në mënyrë që t’i shërbej reformës, i reformuar vet”, deklaroi Haradinaj.

Kreu i AAK-së i shpalli të përjashtuar nga partia që ai drejton të gjithë ata që kanë bërë shkelje ligjore, në emër të partisë.

“Nga Aleanca është mirë të jenë të përjashtuar dhe i shpall të përjashtuar të gjithë ata që bëjnë krime. Kur po flasim për krime po mendoj krim është edhe keqpërdorimi i buxhetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, krim është aktiviteti jetësor fajde, haraç, krim është imponimi, shantazhet e kërcënimet që vijnë në emër të Aleancës, jo vetëm nga njerëz jasht Aleancës e që fshihen brenda Aleancës, por nga kushdoqoftë. Ata nuk janë Aleancë, nuk kanë qenë kurrë Aleancë dhe s’mund të jenë Aleancë”, tha ai.

Reforma brenda partisë sipas Ramush Haradinaj duhet të ndodhë në mënyrë që të ndihmohet ndryshimi, siç tha ai i madh që duhet bërë në vend. Sa i përket koalicionit qeverisës në Kosovë, Haradinaj edhe një herë tha se do të thellohet kapja e shtetit.

Ramush Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar AAK-së, në mënyrë që të ndihmohet ndryshimi në Kosovë.

Top Channel