PD: Djali i jep tenderat babait. Qeveria: Akuzat e Malltezit absurditet

13/12/2014 00:00

Jamarbër Malltezi, drejtuesi i Departamentit të Mjedisit dhe Pyjeve në Partinë Demokratike, nga selia blu akuzoi Ministrinë e Mjedisit se babai i një punonjësi të saj ka fituar një tender me vlerë 1.2 milionë dollar.

“Sot jemi këtu për të treguar një rekord Guiness që ka shënuar dyshja Rama-Meta, duke caktuar në krye të tenderave te pyllëzimit në Ministrinë e Mjedisit një person, i cili i jep babait të tij plot 1.2 milionë dollarë, ose 75% të fondit vjetor. I gjithë fondi vjetor për pyllëzimin prej 1.6 milionë USD u nda mes dy firmave zyrtarisht sponsorizuese të dyshes Rama-Meta. Buletini zyrtar tregon se ALB-Garden, me përfaqësues zotin Pjetër Trashaj, ka perlarë 1.2 milionë dollarë nga kjo Ministri, pra 75% të të gjithë fondit. Organizuesi i dokumentacionit teknik të tenderave në Ministri është i biri i pronarit që fiton tenderat dhe përjashton të tjerët. Deri më sot, plot 1.2 milionë dollarë. Ky është shembull i sistemit korruptiv dhe shëmbëlltyra e oligarkisë që ka ngritur Rama-Meta. Abuzim, përfitim, korrupsion, në format dhe madhësitë më ulëritëse”, deklaroi Malltezi.

Por të tilla pretendime janë hedhur poshtë nëpërmjet një deklarate për shtyp nga Ministria e Mjedisit, e cila thotë se subjekti Alb-Garden nuk ka fituar asnjë nga tenderat e organizuar nga ky dikaster si autoritet kontraktor.

“Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe janë autoritete kontraktore të mëvetme, me komisione të pavarura dhe pa asnjë lloj vartësie nga Ministria apo personi i përmendur. Subjekti në fjalë ka fituar me garë të hapur dhe të rregullt më pak se 20% të investimeve për gjelbërim dhe rehabilitim. Servirja e pjesshme e listës është selektive, pasi është marrë vetëm një pjesë nga lista e gjatë e projekteve. Deklaratat e dhëndrit të ish-kryeministrit janë tendencioze dhe të manipuluara me qëllimin e vetëm për të fshehur të vërtetën dhe për të mbajtur mjedisin peng të një politike të vjetër dhe korruptive. Kjo qeveri po punon me ritme të shpejta për të nxjerrë vendin nga korrupsioni, papunësia, mjerimi dhe errësira ku e la qeveria e shkuar. Për 20 vjet pyjet janë prerë nga njerëz pranë familjes Berisha dhe nuk është bërë asnjë investim në fondin pyjor, duke lënë pas një një gjendje të mjeruar”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Kësaj çështjeje i kushtoi një deklaratë nga selia e PS edhe deputeti Besnik Bare.

“Që Partia Demokratike, si forca më e madhe e opozitës, është në të drejtën e vet për të kritikuar qeverinë, këtë askush nuk mund ta vërë në dyshim. Përkundrazi, ne e mirëpresim çdo kritikë për të korrigjuar shënjestrën e qeverisjes. Por që akuzat për favorizime në tendera të mbeten në gojën e dhëndrit të Saliut, bashkëshortit të Argitës, Jamarbër Malltezi, kjo është vërtet vaj medet për Partinë Demokratike. Shqiptarët i kanë ende të freskëta akuzat e biznesmenëve vendas dhe të huaj që akuzonin nën zë, por edhe hapur, Sali Berishën kur dëshmonin se pa kaluar përmes zyrës private të vajzës, gruas së Jamarbrit, apo të djalit Shkëlzen për të paguar shërbimet korruptive të familjes që drejtonte qeverinë, nuk bëhej dot biznes në Shqipëri”, deklaroi Bare.

Top Channel