Krerët e komunave, debitorë të energjisë. Çela: 637 mijë dollarë borxhe

13/12/2014 00:00

Operatori i Shpërndarjes ka bërë publike të tjera fakte që tregojnë se abuzuesit më të mëdhenj të energjisë janë njerëzit e veshur me pushtet. 

Drejtori i përgjithshëm, Ardian Çela zbuloi se janë me dhjetëra kryetarë komunash, të cilët prej vitesh nuk kanë paguar faturat personale të energjisë, me një dëm prej qindra mijëra eurosh.

“Janë mbi 637 mijë dollarë detyrime personale të prapambetura të kryetarëve të komunave në rang vendi. Vetëm kreu i komunës Lazarat ka mbi 147 mijë dollarë borxhe të papaguara të energjisë. Shpresojmë që kjo marrëdhënie e turpshme e tyre me ligjin të përfundojë javën e ardhshme”, deklaroi Çela.

Kreu i OSHEE-së i ka bërë thirrje zyrtarëve të zgjedhur që të shlyejnë detyrimet shumëvjeçare të energjisë, në të kundërt ndaj tyre do të kërkohen masa të forta ndëshkuese.

“Zotërinjtë nuk duhet të fshihen pas imunitetit, por të marrin përsipër përgjegjësinë dhe të paguajnë. Në të kundërt ne do t’i drejtohemi prokurorisë dhe qeverisë për shkarkimin e tyre, pa dallim partie”, nënvizoi Çela.

Paralelisht, kreu i OSHEE ka bërë publike rezultatet e fundit të aksionit për goditjen e vjedhjes së energjisë dhe mbledhjes së borxheve, që sipas tij kanë çuar në tregues të panjohur në 20 vjet.

“Dua të veçoj dhe të përshëndes rastin e rrethit të Tropojës, ku energjia e paguar ishte mesatarisht 3 milionë lekë të reja në muaj. Ndërsa në 12 ditët e para të dhjetorit janë arkëtuar 26 milionë lekë të reja. Kjo tregon se në Tropojë kemi një situatë të re me qytetarët, të cilët po i bashkohen kësaj përpjekjeje në të mirë të vendit”, shtoi Çela.

Top Channel