Rusia: Do reagojmë nëse ka sanksione të reja

13/12/2014 00:00

Rusia do të ndërmarrë kundër-masa nëse Uashingtoni vendos sanksione të reja ndaj Moskës, lidhur me krizën në Ukrainë, ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov.

Kongresi amerikan ka bërë gati një sanksion të ri ndaj kompanive ruse të armatimit dhe ndaj investitorëve të përfshirë në teknologjinë e naftës, por ai duhet ende të firmoset nga presidenti Barack Obama për t’u kthyer në ligj.

“Ne nuk mund të rrimë pa dhënë një përgjigje”, citohet numri dy i diplomacisë ruse, Ryabkov nga agjencia e lajmeve “Interfax”, edhe pse nuk tha se çfarë lloj masash do të merren.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë në nivelin më të ulët që prej kohës së Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit të Krimesë nga pala ruse në muajin mars dhe mbështetjes që ajo u ofron separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Perëndimi deklaron se ka prova të pakotnestueshme se Rusia ka armatosur rebelët, një akuzë që Moska e hedh poshtë, dhe ka vendosur së bashku me Bashkimin Evropian një seri sanksionesh ekonomike që prekin kryesisht figura të njohura të biznesit në Rusi dhe kompani të mëdha.

Nga ana e saj Rusia reagoi duke kufizuar ndjeshëm importet e ushqimeve, kryesisht frutave dhe perimeve, nga një sërë vendesh, kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Ditën e premte, qeveria e Moskës kritikoi Aktin e Mbështetjes së Lirisë së Ukrainës të miratuar në Uashington, që parashikon sanksione të mëtejshme, duke thënë se Amerika po bën të pamundurën që të shkatërrojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Top Channel