Afganistan, masakër në prag të largimit të NATO-s

13/12/2014 00:00

Guerrilasit talebanë kanë shkaktuar një masakër të vërtetë të shtunën në Afganistan, duke vrarë një zyrtar të Gjykatës së Lartë, mbi 10 pastrues minierash dhe disa ushtarë vendas dhe të huaj.

Megjithatë, edhe vetë guerrilasit kanë pësuar humbje të konsiderueshme nga reagimi i trupave ushtarake, përfshirë ato ndërkombëtare.

Masakra, që shënon një intensifikim të dhunës, ka ndodhur në prag të tërheqjes së trupave ndërkombëtare që parashikohet të bëhet në dy javët e ardhshme.

Në Kabul gjatë së shtunës një bombë shpërthey gjatë kalimit të një autobusi që transportonte ushtarë, duke vrarë 7 prej tyre.

“Ishte një atentator vetëvrasës që eci drejt autobusit në këmbë dhe shpërtheu eksplozivin tek dera e mjetit”, deklaroi një zëdhënës i policisë së Kabulit.

Më herët, një person i armatosur kishte qëlluar për vdekje një zyrtar të Gjykatës së Lartë, Atiqullah Raoufi, teksa ky i fundit dilte nga shtëpia e tij, po në Kabul.

Talebanët, të rrëzuar nga pushteti nga forcat afgane të mbështetura nga SHBA në vitin 2001, morën përgjegjësinë e këtij krimi, por nuk argumentuan motivet e vrasjes.

Krahu ekstrem i rebelëve ka gjykatat e tij në disa zona të vendit dhe e konsideron sistemin gjyqësor zyrtar si të korruptuar.

Sakaq, dy ushtarë të NATO-s humbën jetën nga një sulm i rebelëve në afërsi të bazës kryesore ndërkombëtare në veri të kryeqytetit.

Viktimat dhe lëndimet në radhët e forcave afgane të sigurisë dhe civilëve arritën këtë vit në nivelin më të lartë që kur SHBA nisën luftën në vitin 2001, e ndërsa trupat e huaja u tërhoqën nga zonat malore të vendit.

Top Channel