Irak, ISIS bastis dhe zapton qytetin në Anbar

13/12/2014 00:00

Luftëtarët e Shtetit Islamik bastisën të shtunën një qytet në provincën perëndimore të Anbarit, në Irak, duke vrarë të paktën 19 policë dhe duke bllokuar shumë të tjerë në selinë e tyre.

Ky është sulmi më i fundit i rebelëve në rajonin e shkretëtirës, ku Shteti Islamik ka dhe kontrollin në pjesën më të madhe të territorit.

ISIS zaptoi qytetin Al Uafa, 45 kilometra në perëndim të kryeqendrës së Anbarit, Ramadi, pasi nisi një sulm masiv që në orët e para të së premtes.

Me pushtimin e Al Uafa, Shteti Islamik tani kontrollon tre qytetet kryesore në perëndim të Ramadit, përfshirë Hitin dhe Kubaisën. ISIS dhe trupat qeveritare janë përfshirë prej muajsh në një betejë të ashpër për kontrollin e Ramadit.

Al Uafa ra pre e një sulmi surprizë që tërhoqi vëmendjen e qeverisë irakene për të armatosur fiset sunite që luftojnë kundër ekstremistëve në perëndim të Irakut.

“Forcat e policisë po luftojnë kundër rebelëve të Shtetit Islamik që prej të premtes, por vuajnë nga mungesa e municioneve dhe për pasojë janë detyruar të tërhiqen duke humbur kontrollin e qytetit. Jam i dëshpëruar për faktin se u lamë vetëm dhe pa mbështetje”, deklaroi Hussain Kassar, kryetar i bashkisë.

Forcat e policisë të mbështetura nga disa luftëtarë sunitë u përpoqën të ndalonin avancimin e militantëve në barrierën e shkretëtirës që rrethon qytetin, por u kapën në befasi nga celula të fjetura që hapën zjarr nga brenda qytetit.

Policia dhe luftëtarët pro-qeveritarë sunitë u detyruan të tërhiqen në një godinë policore që ndodhej aty pranë, në kufi të qytetit, saktësoi më tej kryetari i bashkisë.

Top Channel