Superiore, Alban Hoxha vendos rekord të ri: Pëson gol pas 1084 minutash

13/12/2014 00:00

Tirana mundi 2-0 Skëndërbeun duke harruar menjëherë dështimin në derbin kryeqytetas, ndërkohë që Partizani u mund 1-0 në Vlorë nga Flamurtari.

Por të kuqtë e Duros ngushëllohen me rekordin e ri të portierit Alban Hoxha, i cili pësoi gol pas 1.084 minutash lojë.

Ka qenë goli i Ardit Shehajt në minutën e ‘85 ai që vulosi humbjen e Partizanit, që rrëzoi fortesën e portierit Alban Hoxha, i cili nuk pësonte gol që nga ndeshja e javës së dytë me Apoloninë.

Gjithsesi, me 1.084 minuta pa pësuar gol, 27-vjeçari i Partizanit arrin të thyejë rekordin 30-vjeçar të ish-portierit të Elbasanit, Bujar Gogunja, që në 12 ndeshje radhazi nuk pësoi gol me një minutazh prej 1037, nga 11 dhjetori ’83 deri më 13 maj ’84.

Pesë ditë pas zhgënjimit në derbi, bardheblutë e Gugash Maganit bënë autokritikë duke mposhtur 2-0 Skënderbeun, i cili luajti për më shumë se 45 minuta me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Radas.

Protagonist i fitores bardheblu ishte Ndikumana, i cili me dopjetën e shënuar në portën korçare e ngjiti Tiranën në vendin e dytë me 32 pikë, po aq sa Kukësi i vendit të tretë.

Edhe Vllaznia e mbylli me fitore javën e 16. Shkodranët mundën minimalisht 1-0 Laçin falë golit të kapitenit Elvin Beqiri në fundin e ndeshjes dhe tashmë e shohin veten 11 pikë larg zonës së ftohtë të klasifikimit.

Ndërkohë, Elbasani mundi 1-0 Apoloninë në Fier, rezultat ky që mundëson rrokadën e këtyre dy skuadrave në fundin e klasifikimit.

Top Channel