Thaçi: Njohja e Kosovës, në fokus të diplomacisë

13/12/2014 00:00

Hashim Thaçi, ish-kryeministër i Kosvës dhe tani ministër i Punëve të Jashtme, përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës do të jenë në fokus të diplomacisë.

Sipas Thaçit, kjo do të bëhet përmes lobimit të fuqishëm me qëllim forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

“Diplomacia e Kosovës do të synojë dhe do të punojë që gjatë këtij mandati të arrijë njohjen nga dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së. Arritja e këtij synimi do ta fuqizojë Kosovën si një anëtar të plotë dhe të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, duke u bërë një kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Gjithashtu, Kosova do të vazhdojë me përpjekjet e saj praktike për të bindur pesë vendet anëtare të BE-së se njohja e pavarësisë është vendim i drejtë dhe me interes të stabilitetit dhe unitetit europian”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij.

Përveç angazhimit për thellimin e bashkëpunimit me institucionet euro-atlantike dhe ato të BE-së, ministri i ri i Jashtëm zotohet për përkushtim edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Diplomacia e Kosovës do të jetë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut, që do të finalizohej me njohjen ndërsjellë e që do të mundësojë ndërtimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve, duke vendosur marrëdhënie diplomatike në frymë miqësore dhe europiane”, ka shtuar më tej Thaçi.

Top Channel