Maqedoni, Selmani rizgjidhet në krye të Shoqatës së Gazetarëve

13/12/2014 00:00

Gazetari shqiptar Naser Selmani do ta drejtojë Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë edhe në katër vitet e ardhshme. Ai mori besimin e shumicës së gazetarëve në Kuvendin e rregullt të SHGM-së që u mbajt të shtunën.

Përveç ruajtjes së unitetit mes gazetarëve dhe ballafaqimit me presionet e pushtetit, Selmani tha se, gjatë mandatit të tij të parë në katër vitet e kaluara ka rritur edhe përfaqësimin e gazetarëve në shoqatën që drejton.

“Për herë të parë gazetarët shqiptarë përfaqësohen në mënyrë të denjë në SHGM dhe momenti i dytë është se, gazetarët shqiptarë në SHGM nuk janë dekor, por kanë qenë pjesë e vendimmarrjes dhe krijimit të politikës në këtë shoqatë”, deklaroi Selmani.

Selmani tha se misioni i pushtetit për të përçarë anëtarët e Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni ka dështuar dhe premtoi se edhe në katër vitet e ardhshme prioritet i tij do të mbetet zgjidha e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohen gazetarët në vend.

“Tani duhet të organizohemi më mirë dhe të bëjmë më tepër presion që ta detyrojmë qeverinë të marrë masa konkrete dhe të demonstrojë vullnet politik për të zgjidhur problemet me të cilat përballen gazetarët dhe mediat në Maqedoni”, shtoi Selmani.

Në Kuvendin e SHGM-së u zgjodhën edhe anëtarët e Këshillit Drejtues, Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit të Nderit. Po ashtu, në Kuvend u miratua edhe një Deklaratë, me të cilën kërkohet lirimi i gazetarit maqedonas Tomislav Kezharovski, i dënuar me 3.5 vite burg.

Liria e medias në Maqedoni në vitet e fundit vazhdimisht ka shënuar rënie dhe kjo situatë është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare.

Top Channel