Selanik, ministri Bushati takon emigrantët, dëgjon shqetësimet e tyre

14/12/2014 00:00

Pas përfundimit të takimit të Këshillit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Detit të Zi, në Selanik, kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati është takuar me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në këtë qytet, në një sallë që universiteti “Aristotelis” i Selanikut i ka akomoduar shoqatës shqiptare “Nënë Tereza” për mësimdhënien e gjuhës shqipe.

Pasi ka falënderuar mësuesit, që japin mësim vullnetarisht në këto kurse, të cilët i ka quajtur heronj të heshtur, ai i është referuar përpjekjeve të qeverisë shqiptare në zgjidhjen e problemit të toponimeve në pasaporta dhe të disa raporteve dhe çështjeve të pazgjidhura prej vitesh me Greqinë, në një periudhë madje, kur Athina kishte presidencën e BE.

“Jam takuar me një pjesë prej jush në maj, kur Shqipëria ende nuk ishte një vend kandidat për në Bashkimin Europian. Shqipëria sot është një vend i tillë, është me sytë, punë e përpjekje për nga procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, proces që do të jetë edhe më i vështirë se dhënia e statusit, e që do të kërkojë kohën e vetë”, u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.

Bushati, që ka qenë i shoqëruar edhe nga ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi, ka dëgjuar nga vetë emigrantët problemet që përballojnë dhe i ka falënderuar ata, duke i quajtur si ambasadorët më të mirë të shtetit shqiptar, që kanë kontribuar në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë.

“Sa i përket raportit me Greqinë, duhet të them që ne kemi hapur disa fronte të reja dhe po punojmë për adresimin e disa çështjeve, si për edukimin, transportit, apo edhe çështje të natyrës historike, të cilat ndoshta nuk kanë një relevancë praktike për ju këtu”, tha më tej ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Kreu i diplomacisë shqiptare ka theksuar gjithashtu se, përkrah përpjekjeve të tyre për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës shqipe në Greqi, një rol të madh ka luajtur Top Media dhe krijuesi i saj, Dritan Hoxha.

Bushati ka vënë në dukje gjithashtu përmirësimin gjithnjë e në rritje të shërbimeve konsullore, disa prej të cilave priten që në të ardhmen të kthehen edhe në shërbime online, duke u lehtësuar procedurat mijëra anëtarëve të komunitetit shqiptar në Greqi. Më pas, ai ka falënderuar qeverinë greke për frymen e bashkëpunimit, Bashkinë e Selanikut dhe kreun e saj, Janis Boutaris, si dhe autoritetet e univeristetit “Aristotelis” për krijimin e katedrës së gjuhës shqipe.

Me duartrokitje është pritur edhe prezantimi i Konsulles së re të Përgjithshme në Selanik, Pavlian Evro, e cila sipas Bushatit ka qenë dhe mbetet një legjendë në subkoshiencën e çdo shqiptari.

Top Channel