Turqi, bastisen selitë mediatike pranë rivalit të Erdogan, Gulen. Arrestime

14/12/2014 00:00

Policia turke ka bastisur një stacion televiziv dhe një gazetë, të cilat njihen si burime mediatike pranë klerikut musliman që jeton në Amerikë, Fethullah Gulen, gjatë së dielës, duke arrestuar disa persona, bëjnë të ditur raportimet e mediave turke, vetëm dy ditë pasi Presidenti Tayyip Erdogan sinjalizoi për një fushatë të re kundër mbështetësve të Gulenit.

Policia nisi operacionet kërkimore në disa adresa në Stamboll dhe provincat përreth Turqisë, duke ndaluar disa persona, përfshi një ekzekutiv të lartë të një kanali televiziv pranë Gulenit, raporton rrjeti televiziv shtetëror TRT Haber.

Gulen, dikur aleat i ngushtë i Erdoganit, tashmë është rivali i tij më i madh, edhe pse jeton në arrati të vetëimponuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raportimet e medias bëjnë të ditur se mandatarrestet janë lëshuar për 32 persona.

“Shtypit të lirë nuk mund t’i mbyllet goja”, thirri një turmë e mbledhur në zyrtar e gazetës “Zaman” në Stamboll, teksa kryeredaktori i saj, Ekrem Dumanli, bënte një fjalim para dytë, i cili u transmetua drejtpërdrejtë edhe në televizion, e duke sfiduar policinë që ta arrestonin atë.

Bastisjet vijnë një vit pasi shpërthimit të hetimeve për korrupsion që shënjestronin rrethin e ngushtë të Erdoganit, atëherë kryeministër, sipas të cilit përbënin një komplot për ta rrëzuar atë nga pushteti, komplot i orkestruar nga një “strukturë paralele” e mbështetësve të Gulenit, por ky i fundit mohon këtë akuzë.

Hetimi, i cili u bë publik pas bastisjeve të policisë më 17 dhjetor të vitit të kaluar, çoi në dorëheqjet e 3 ministrave dhe detyroi Erdoganin të pastronte aparatin shtetëror, duke riemëruar mijëra policë dhe qindra gjykatës e prokurorë.

Top Channel