Mbetet e bllokuar rruga Tiranë-Elbasan, lëvizjet devijohen nga Durrësi

14/12/2014 00:00

Rrëshqitja e dheut një ditë më parë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në fshatin Ibë, e ka lënë sërish të bllokuar rrugën. Forcat policore e kanë bllokuar aksin rrugor dhe nuk lejojnë që të kalojnë automjetet për shkaqe sigurie.

Ka lëvizje automjetesh vetëm për fshatrat e Tiranës, të cilat nuk e kalojnë Ibën. Ndërkohë, fugonat e udhëtarëve Elbasan-Tiranë kanë gjetur një zgjidhje, për të mos i rënë gjatë nga aksi rrugor Elbasan-Durrës.

Një prej tyre i ndalon udhëtarët përpara Ibës, ndërsa pasi bëjnë rrugë në këmbë, pasagjerët hipin në fugonin që i pret në postbllokun e ngritur nga policia.

Ndërkaq, e gjithë gjendja në rrugë është si 24 orë më parë. Dheu i rrëshqitur nga lart rrezikon të bjerë në rrugë. Masat paraprake të evakuimit të banorëve ishin zgjidhja emergjente në këtë rast, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk ka tentuar të zhvendosë orendi shtëpiake nga banesat e tyre, apo mallin e dëmtuar në dyqanet private.

Ende nuk ka një informacion, se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare për këtë situatë të ndodhur në Ibë. Sipas burimeve policore, rruga do të vazhdojë të mbetet e bllokuar në një afat të pacaktuar, deri sa Autoriteti Rrugor Shqiptar të japë ndonjë zgjidhje për situatën.

Por, tashmë ka nisur edhe vlerësimi i dëmeve në këtë zonë.

Top Channel