PD akuzon sërish Ministrinë e Mjedisit. Reagon MM: Janë të pavërteta

14/12/2014 00:00

Demokratët e cilësuan një tjetër skandal, reagimin e Ministrisë së Mjedisit për denoncimin për tenderin, ku – sipas tyre – organizuesi shpalli të atin fitues të tij.

“1,2 milionë dollarë, që i biri drejtor ia tenderon babait biznesmen. Meta, me Ministrinë e Mjedisit, e pranon gjithashtu, por thotë se këto tendera me miliona euro nuk i bën ai, por vartësit në rrethe, që qenkan edhe të pavarur”, deklaroi Nebijaj.

Ministria hodhi poshtë një ditë më parë akuzat e opozitës, pasi sipas saj Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në Qarqe janë autoritete kontraktore të pavarura dhe se subjekti në fjalë ka fituar me karta të hapura dhe të rregullta më pak se 20% të investimeve për gjelbërim dhe rehabilitim.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit ka reaguar sërish gjatë së dielës, duke sqaruar edhe njëherë se personi në fjalë nuk ka fituar asnjë nga tenderat e këtij dikasteri, madje ai ka konkurruar pranë këtij dikasteri – shton reagimi, – dhe nuk ka fituar asnjë tender, çka dëshmon – sipas kësaj Ministrie – se i është dhënë fund kohës kur pushteti dhe tenderat ishin tërësisht të centralizuar, nga e njëjta dorë që sot akuzon.

Shërbimi Pyjor është autoritet kontraktues më vete, thotë Ministria e Mjedisit.

Top Channel