Top Channel dhe Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha organizojnë eventin e përvitshëm të kthyer tashmë në traditë, “Grand Gala”, të mërkurën, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Një mbrëmje argëtuese, por edhe me mesazhe sensibilizuese. Tema e këtij viti do të jetë toleranca, nisur nga shembulli i shkëlqyer i tolerancës fetare i Malbardhës.

“Nisur nga rasti i fshatit Malbardhë, ku shumica muslimane e popullsisë morën një nismë për ndërtimin e Kishës së fshatit kushtuar pakicës katolike, zbuluar e trajtuar në televizionin Top Channel nga gazetari Marin Mema, por nisur edhe nga shumë shembuj të tolerancës fetare e jo vetëm, ne si staf vendosëm që sivjet tema e ‘Gala’-së të jetë e bazuar mbi tolerancën. Jo vetëm në aspektin fetar, por edhe ndaj pakicave kombëtare, ndaj të huajve e kështu në kuptimin më të gjerë të fjalës”, u shpreh Altin Basha, regjisor i “Grand Gala”.

Skenari, Jani Duro dhe Vangjel Kozma, drejtimi muzikor Dorian Gjoni. Këngëtarë të njohur, si Elhaida Dani, Kastriot Tusha e Rina Bilurdaku, do të interpretojnë pjesë nga repertori i tyre. Të tjera pjesë muzikore do të jenë të ndërthurura me mesazhe të shkruara nga shkrimtarë të njohur shqiptarë, në lidhje me tolerancën në përgjithësi, të cilat do të interpretohen nga aktorë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, si Erion Mustafaraj, Luran Ahmeti, Lulzim Guhelli e Violeta Banushi. Mesazhe, të cilat kanë lidhje me temën e “Gala”-së, tolerancën.

“Fokusi do të mbetet te fshati, sepse ka një nismë humanitare që të gjitha fondet e mbledhura nga kjo ‘Gala’ e nga kjo fushatë, të shkojnë për ndërtimin e rrugës që të çon në atë fshat, në mënyrë që të lehtësohet edhe më shumë vajtja e njerëzve kuriozë për këtë rast të jashtëzakonshëm, i cili ka bërë bujë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën”, vijoi më tej regjisori Altin Basha.

Fondet do të mblidhen nga shitjet e biletave. Një tjetër pjesë e rëndësishme e “Grand Gala”-së është dhënia e çmimit “Dritan Hoxha”, i cili shkon për një personazh, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në fushat social-kulturore gjatë vitit 2014.

“Mendoj që e gjithë kjo mbrëmje do të jetë padyshim reflektimi, një mbrëmje që do të lerë gjurmë në kujtesën e spektatorëve, jo vetëm për mesazhin që përcjell, por dhe për cilësinë artistike të përmbajtjes së saj”, deklaroi Altin Basha. Biletat gjenden pranë Top Channel, te Piramida.

Top Channel