“Bujqësia në kolaps”, Basha në Korçë: Fermerët në krizë, prodhimet kalben në magazina

14/12/2014 00:00

Për kreun e opozitës, i cili dëgjoi shqetësimet e fermerëve në disa fshatra të Korçës, bujqësia është një nga sektorët e goditur më rëndë nga qeveria “Rama”. Sipas fermerëve që takoi zoti Basha, janë rritur kostot e prodhimit, i cili nuk po arrin as të shitet, pasi për shkaqe klienteliste – thonë ata – është favorizuar importi.

“Çfarë nafte thotë ai ‘kam ulur’? Nafta vazhdon 178 lekë. Të gjitha, çmimi i naftës është rritur, plehrat kimike dhe pesticidet janë rritur gati 15%. Premtuan që do të subvenciononin prodhimin me skemat që bënë bujë, por deri tani asnjëri s’ka marrë asgjë. Unë kam 40 kuintal fasule gjendje në magazinë. Me çfarë të ardhurash do të mbjell unë për mot?”, shprehet një fermer.

Basha: Po pse nuk shite këtë vit?
Fermeri: Kanë futur nga jashtë.

Kreu i opozitës i bëri thirrje kryeministrit të dalë për të takuar njerëzit dhe për të mësuar të vërtetën për situatën.

“Në vend që të fabrikojë realitete nga ekrani i televizionit, të  vijë dhe t’i shikojë vetë se çfarë ka bërë. Ja kjo është vepra e tij”, u shpreh Basha.

Fermerët e fshatit Dvoran shtuan se nuk kanë marrë këtë vit as subvencionime nga shteti.

“Shumë investime që erdhën këtë vit në Qarkun e Korçës i morën katër vetë, të cilët shumë pak kanë të bëjnë me bujqësinë”, thotë një fermer.

“Kam paguar jo më pak se 5 milionë lekë me ilaçe dhe tani s’po shitet malli, gjynah. Ku të ha bukë unë, të vete të vjedh? Atëherë qeveria të vërë dorë këtu, të bllokojë doganat, t’i shesim ne, pastaj t’i hapë”, shtoi një tjetër fermer.

Për kreun e opozitës, bujqësia është kthyer 10 vjetë pas.

“Përgjegjësinë për naftën e ka qeveria; për çmimin e plehrave e ka po ajo, përgjegjësinë për importin që po bën kërdinë në mënyrë korruptive, duke i lënë produktet tuaja të kalben në fushë, e ka sërish qeveria. Përgjegjësitë e tyre do t’i mbajnë një për një. Shqiptarëve u ka ardhur laku në fyt dhe kjo qeveri nuk është më as socialiste, as liberale, por është qeveri oligarkike, që mendon vetëm për veten e vet”, deklaroi zoti Basha.

Top Channel